Zjarret në Hauai, 80 viktima e dëme katastrofike!

vovalbania August 12, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Zjarret në Hauai, 80 viktima e dëme katastrofike!

Rritet në 80 numri i viktimave nga zjarret në ishullin Maui, në Hauai të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa më herët u raportua për 67 persona që humbën jetën. Njoftimi vjen në kohën kur dje në mbrëmje shpërtheu një zjarr i ri në Maui, duke detyruar evakuimin e një komuniteti në verilindje të zonës ku më herët gjatë kësaj jave shpërthyen zjarre. Zjarri nxiti evakuimin e banorëve nga Kanapali në Mauin Perëndimor.

Më herët qarkullimi në trafik u ndalua dhe disa persona kaluan zonën e mbyllur me barrikada për shkak se u shpall si zonë e fatkeqësive dhe hyrja nuk lejohet për shkak të rrezikut.

Shumica e banorëve të Mauit kanë nisur të kthehen në lagjet e tyre, ku gjetën makina të djegura e dëme të tjera. Zjarret kanë shkatërruar shtëpi e biznese, si dhe shtylla të telefonit.

Zyra e Prokurores së Përgjithshme, Anne Lopez, njoftoi se do të kryhet një rishikim i vendimeve dhe politikave që janë marrë gjatë e pas zjarreve.

Zjarret janë fatkeqësia më vdekjeprurëse natyrore e Hauait në dekada, madje më tragjike se cunami i vitit 1960 që la të vrarë 61 persona. Edhe në vitin 1946, Hauai u godit nga një cunam me pasojë vdekjen e mbi 150 personave. Më pas u krijuan sistemet e emergjencave, përfshirë lëshimin e sirenave për të paralajmëruar banorët për rrezikun.

Por, shumë të mbijetuar të zjarreve deklaruan se nuk kanë dëgjuar ndonjë sirenë paralajmëruese për t’iu dhënë kohë që të përgatiteshin.

Edhe në të dhënat e Departamentit për Menaxhimin e Emergjencave të Hauait nuk ka tregues se janë lëshuar sirena për të paralajmëruar banorët e ishullit që të largoheshin. Por, zyrtarët kanë dërguar alarme në telefona, si dhe njoftuan banorët përmes televizioneve e radiove. Por, për shkak se zjarret shkatërruan linjat e energjisë, këto mesazhe nuk kanë shkuar te të gjithë banorët.

Guvernatori Josh Green paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet pasi operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Zona më e goditur nga zjarret është Lahaina, ku ka dëme të mëdha.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50505 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE