Ish-Presidenti Trump kritikon ashpër prokuroren Fani Willis

vovalbania August 15, 2023 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Ish-Presidenti Trump kritikon ashpër prokuroren Fani Willis

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi ashpër një prokurore në Xhorxhia, e cila po paraqet prova kundër tij para një jurie të madhe mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në këtë shtet, ndërsa në të njëjtën kohë po tallej me gjykatësin në Uashington që po mbikëqyr rastin e nivelit federal për ndërhyrje në zgjedhjet e të njejtit vit.

Pas një hetimi 2.5 vjeçar, të hënën Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis filloi të thërriste dëshmitarët para një jurie të madhe në Atlanta për të dëgjuar prova se si ish-Presidenti Trump dyshohet se u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste humbjen e tij të ngushtë ndaj demokratit Joe Biden në Xhorxhia.

Në faqen e tij të mediave sociale “Truth”, të hënën zoti Trump shkruaji me shkronja të mëdhat: “A do t’i tregojë dikush jurisë së madhe të qarkut Fulton se unë nuk i manipulova zgjedhjet. Në mesin e njerëzve që i manipuluan ato është mjerisht edhe Fani Willis, e cila në mënyrë tronditëse ka lejuar Atlantën të bëhet një nga qytetet më të rrezikshme në botë, nuk ka asnjë interes të shohë sasinë masive të provave në dispozicion, ose të zbulojë se cilët janë këta njerëz që kanë kryer këtë krim.”

“Ajo dëshiron të kap ‘vetëm zotin Trump’”, shkroi ai. Ish-Presidenti Trump tha se “do të ishte i lumtur” të jepte dëshmi për jurinë e madhe, megjithëse gjatë muajve të hetimeve kriminale që kishin në shënjestër atë, ai ka refuzuar të gjitha ofertat për të dëshmuar.

Xhorxhia po përgatitet për padinë e katërt kundër ish Presidentit Trump

Megjithë masat e rrepta të sigurisë, disa zyrtarë shprehen të shqetësuar se një akuzë e katërt e mundshme kundër zotit Trump për ndërhyrje në zgjedhje, mund të pasohet me dhunë.

Masat e sigurisë janë shtuar në Bashkinë e Fultonit në Xhorxhia, para ngritjes së një aktakuze të katërt të mundshme kundër ish Presidentit Donald Trump.

Gjatë kësaj jave, prokurorja Fani Willis do të paraqesë argumentet e saj para një jurie të madhe.

Hetimet janë përqëndruar në dyshimet se zoti Trump ka ushtruar trysni ndaj zyrtarëve elektoralë të shtetit të Xhorxhias, për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe se është përfshirë në komplot për të përdorur elektorë të rremë.

Ish presidenti e quan hetimin kundër tij një gjueti shtrigash.

Prova kryesore në këtë rast është një bisedë telefonike e zotit Trump më 2 janar të vitit 2021 me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger. Ish presidenti dëgjohet duke i kërkuar atij të gjejë votat e mjaftueshme për të kapërcyer diferencën në vota me rivalin e tij demokrat Joe Biden.

“Thjesht dua të gjej 11 mijë e 780 vota, që është një më shumë sesa kemi”, shprehet zoti Trump në bisedë telefonike.

Zyrtari i lartë zgjedhor në Xhorxhia, Gabriel Sterling, i cili ndihmoi në rinumërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020 në këtë shtet, pritet të jetë një prej dëshmitarëve në këtë rast.

Ai foli në emisionin “Këtë Javë” të rrjetit ABC.

“Ne i numëruam fletëvotimet tre herë. Ai e humbi Xhorxhian, por vazhdon të thotë se nuk e humbi. Thjesht po krijon tension dhe kaos”, thotë zoti Sterling.

Ai u pyet nëse kritikat e forta publike të zotit Trump ndaj prokurores Willis, mund të nxisin dhunë.

“Nuk besoj se do ketë një grup komplotistësh të bashkuar. Por mund të ketë ndonjë një individ të paqëndrueshëm mendërisht, që do të radikalizohet në këtë proces”, thotë ai.

Nëse ish presidenti paditet në Xhorxhia, votuesit duhet të vlerësojnë me kujdes premtimet e zotit Trump si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, thotë kandidati tjetër republikan për president, Chris Christie, në rrjetin ABC.

“Unë mendoj se votuesit republikanë duhet të analizojnë nëse ai, i akuzuar në katër raste të ndryshme dhe duke pasur parasysh sjellen e tij, është dikush që mund të fitojë ndaj Joe Bidenit, ose ndonjë demokrat itjetër në nëntor të vitit 2024”, thotë zoti Christie.

Vetë Presidenti Joe Biden është nën hetime për lidhur me disa dokumente sekrete që iu gjetën në shtëpinë e tij dhe që nuk duhej t’i kishte aty.

Ndërkohë javën e kaluar u emërua një prokuror i posaçëm për të hetuar në mënyrë të pavarur marrëdhëniet biznesore jashtë vendit të djalit të presidentit, Hunter Bidenit.

Ligjvënësi demokrat, Jamie Raskin komentoi rastin në rrjetin ABC.

“Është e qartë se ky djalë ishte i vrarur nga droga dhe se bëri shumë gjëra të paligjshme dhe të gabuara. Ne kemi thënë që ta lëmë sistemin e drejtësisë të bëj punën e vet”, thotë zoti Raskin.

Pas zbulimit të marrëveshjes së Departamentit të Drejtësisë me Hunter Bidenin, ku ky do të pranonte fajësinë për shmangie të taksave dhe armëmbajtje pa leje, e cila dështoi, pasi nuk u pranua nga gjykatësi, sipas prokurorëve, mundësitë që çështja kundër djalit të presidentit të shkojë në gjyq, janë shumë më të larta.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49292 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE