Britania e Madhe do ta shpallë Wagner-in organizatë terroriste!

vovalbania September 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Britania e Madhe do ta shpallë Wagner-in organizatë terroriste!

Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do ta shpallë grupin mercenar rus, Wagner “organizatë të ndaluar terroriste”. Autoritetet britanike thanë se ky grup mbetet kërcënim global edhe pas vdekjes së liderit të tij, Yevgeny Prigozhin  në një aksident ajror muajin e kaluar.

Qeveria britanike tha se një urdhër do të dërgohet në Parlament për të shpallur Wagner-in organizatë terroriste në bazë të Aktit të Terrorizmit.

Sapo të miratohet nga ligjvënësit, ky cilësim do të ndalojë anëtarësimin apo mbështetjen për Wagner-in, grupin që ka luajtur një rol të madh në luftime gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Po ashtu, Wagner ka vepruar në Siri dhe në disa shtete të tjera afrikane.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman bëri të ditur se Wagner “është përfshirë në grabitje, tortura e në vrasje barbare. Operacionet e tij në Ukrainë, si dhe në vende të Lindjes së Mesme e në Afrikë janë një kërcënim për sigurinë globale”.

Ata janë terroristë dhe ky urdhër ndalimi është i qartë sipas ligjeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndalesa do të lejojë autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar që të konfiskojnë asetet e organizatës edhe pse kjo masë duket se është simbolike, pasi nuk ka të dhëna se Wagner operon në Britaninë e Madhe.

Njoftimi i Qeverisë britanike vjen pasi në muajin korrik, Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit rekomandoi që Wagner të ndalohej. Ky komitet tha se autoritetet britanike kanë “nënvlerësuar dhe kanë minimizuar” kërcënimin që paraqet ky grup mercenar.

Komiteti shtoi po ashtu se e ardhmja e Wagner-it është e paqartë pas rebelimit të shkurtër të Prigozhinit ndaj ushtrisë ruse, në fund të muajit qershor.

Dy muaj pas rebelimit të qershorit, Prigozhin u raportua se gjeti vdekjen nga rrëzimi i një avioni më 23 gusht. Sipas vlerësimeve paraprake të inteligjencës amerikane, avioni u rrëzua nga një shpërthim i qëllimshëm. Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, ka mohuar çdo përfshirje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49676 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE