Policia e Kosovës: Vritet njëri nga sulmuesit e rrethuar në Banjska!

vovalbania September 24, 2023 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Policia e Kosovës: Vritet njëri nga sulmuesit e rrethuar në Banjska!

Policia e Kosovës raporton vrasjen e njërit prej sulmuesve në zonën e Banjskës në veri. Ai gjeti vdekjen në një shkëmbim me armë zjarri me forcat e rendit ndërsa më herët në mëngjes në këtë fshat u vra një efektiv i policisë dhe u plagosën dy të tjerë.

Policia thotë se situata atje vazhdon e tensionuar dhe grupet që i konsideron “kriminale” po sulmojnë njësitet policore në terren.

Sulmuesit profesionalë, në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë Manastirin e Banjskas e përreth tij, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje sulmuesve që të dorëzohen, pasi janë të rrethuar.

Misioni i NATO-s, KFOR reagoi duke deklaruar se Policia e Kosovës ka përgjegjësinë fillestare për menaxhimin e zhvillimeve në veri të vendit, ndërsa dënoi ashpër sulmin e mëngjesit në Banjskë të Zveçanit që i kushtoi jetën rreshterit Afrim Bunjaku. Në një deklaratë thuhet se “trupat e KFOR-it janë prezentë në këtë zonë, të gatshëm të reagojnë nëse kërkohet”.

Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve ushtarake dhe atyre të sigurisë i tha Radios Evropa e Lirë se situata e sigurisë në veri është e brishtë dhe me mundësi përshkallëzimi. Sulmin e fundit ndaj policisë, Qehaja e sheh si të orkestruar nga Serbia e Rusia. Ndërkaq, beson se duhet të kërkohet që njësitë speciale të Policisë të Kosovës t’iu rikthehen detyrave që kanë patur më herët.

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri e tha se “dhuna e çfarëdo forme, nuk është e pranueshme”. Në një postim në X, shkruan: “Fajtorët duhet të përballen me drejtësinë! Të gjithë duhet të kthehen në dialog, menjëherë!”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se presidenti serb, Aleksander Vuçiç do t’i drejtohet kombit përmes një fjalimi. “Vuçiç do të ekspozojë të gjitha gënjeshtrat dhe shakatë e Albin Kurtit, krijuesit të kaosit e ferrit në Kosovë dhe Metohi”, shkruan kjo zyrë. Më herët, kryeministri i Kosovës e dënoi vrasjen e efektivit në Banjskë e ndërsa tha se “sulmi ishte terrorist”, bëri fajtore Serbinë.

Ndërsa Prishtina akuzon Beogradin, kryeparlamentari serb, Vladimir Orliç thotë se “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për çfarëdo lloj dhune”. Zyrtari i lartë e akuzon Kurtin se u nxitua në deklaratat për të fajësuar serbët lidhur me zhvillimet në veri.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut e dënuan sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e cilësuar “përpjekje për të nxitur konflikt me pasoja mbi paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Zv.kryeministri Artan Grubi, tha se sulmuesit duhen arrestuar dhe të vihen para përgjegjësisë, me qëllim vendosjen e rendit e të ligjit, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

Të papranueshme zhvillimet e paramenduara destabilizuese në veri të Kosovës ndaj policisë dhe shtetit, por edhe të rajonit. Sulmi dhe vrasja e policit të Kosovës është tentativë për të nxitur krizë dhe konflikt me pasoja mbi paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit tonë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjithashtu e dënoi sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasjen e efektivit.

Dënoj fuqishëm vrasjen e policit në detyrë në veri të Republikës së Kosovës…stabiliteti dhe siguria e Kosovës nuk do të cenohet nga aktet e dhunës. Siguria e qytetarëve është e para.

Kanë reaguar edhe partitë opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut duke e vlerësuar sulmin si “akt të provokuar nga Serbia”.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49531 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE