Presidenti serb Vuçiç bisedon me ambasadorin rus në Serbi, një ditë pas sulmit në veri të Kosovës!

vovalbania September 25, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Presidenti serb Vuçiç bisedon me ambasadorin rus në Serbi, një ditë pas sulmit në veri të Kosovës!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç takoi ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Sot në një postim në Instagram, Vuçiç shkruan:

Jam mirënjohës që ambasadori rus i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe.

Presidenti serb u mjaftua me kaq dhe nuk dha hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë. Siç tashmë është bërë e njohur, sot në Kosovë është ditë zie në nderim të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i cili u vra dje. Autoritetet konfirmuan se rreshteri Afrim Bunjaku ndërroi jetë nga plagët e marra në sulmin e mëngjesit të djeshëm në Banjskë. Bunjaku ishte pjesë e njësiteve që shkuan në vendngjarje pasi morën njoftim për një urë të bllokuar në fshat nga dy kamionë pa targa.

Zyrtarët kosovarë thanë se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta u arrestuan. Rreth 30 vetë me uniforma, armatime të rënda, mjete të blinduara e të maskuar ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij.

Një ditë më parë, Vuçiç fajësoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se “disa serbë të Kosovës” u rebeluan e ngritën barrikada “duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”.

Kryeministri Kurti nuk kishte dyshime se sulmi është mbështetur nga Serbia.

Eshtë fjala për një formacion terrorist e kriminal, profesionist, i cili e ka planifikuar dhe përgatitur gjatë këtë çfarë ka kryer e që nuk paraqet një bandë të kontrabandës, por një strukturë mercenare, e cila është e përkrahur politikisht, financiarisht e logjistikisht nga Beogradi zyrtar.

Ky zhvillim i rëndë, ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiç dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008-ën dhe ka mbështetjen e aleatëve, Rusisë e Kinës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48681 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE