Për mungesë provash, lirohen katër të arrestuar lidhur me sulmin në Banjskë të Kosovës!

vovalbania September 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Për mungesë provash, lirohen katër të arrestuar lidhur me sulmin në Banjskë të Kosovës!

Për mungesë provash të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale liroi katër të arrestuar më 24 shtator në Banjskë të komunës së Zveçanit, në veriun me shumicë serbe. Ata u prangosën në kohën kur në afërsi të manastirit në Banjskë po zhvilloheshin përleshje mes Policisë së Kosovës e një grupi të armatosur.

Në atë sulm, që për Prishtinën ishte terrorist mbetën të vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, si dhe tre sulmues. Policia arrestoi edhe katër vetë të tjerë. Për tre prej tyre është marrë vendim për paraburgim prej një muaji.

Të dyshuarit me inicialet B.S., D.M e V.T, akuzohen për veprat penale kryerja e veprave terroriste dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetutes e sigurisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Milan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Një ditë më parë, Sveçla publikoi një video të regjistruar me dron e ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë. Lista Serbe, forca politike që ka mbështetjen e Beogradit nuk ka reaguar. Po ashtu, nuk po reagojnë as institucionet në Serbi lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës. Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian, si dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.

Në një tjetër zhvillim, Shqipëria nuk mbështet Deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell në emër të Bashkimit Europian, në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, të datës 19 shtator 2023. Referuar burimeve diplomatike, dje vendi ynë nuk është linjëzuar me deklaratën e hartuar nga Bashkimi Europian dhe që për të cilën iu kërkua mbështetja vendeve anëtare përpara aktit kriminal, ku humbi jetën një efektiv i Policisë së Kosovës.

Burimet bëjnë me dije se arsyeja e këtij qëndrimi është fakti se për Shqipërinë, përgjegjësia e asaj që ka ndodhur nuk qëndron te Kosova. Për Tiranën, qëndrimet në këtë deklaratë nuk janë të përshtatshme për situatën aktuale, ku përgjegjësia është e qartë dhe nuk qëndron tek Kosova dhe përfaqësuesit e saj.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49329 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE