Kosovë, specialet rrisin praninë në veri pas sulmit në Banjskë!

vovalbania September 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kosovë, specialet rrisin praninë në veri pas sulmit në Banjskë!

Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli më shumë forca speciale të policisë së Kosovës në veri. Dy muaj e gjysmë më parë, qeveria pranoi të zvogëlojë praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe, si pjesë e akordit me Bashkimin Europian për uljen e tensioneve. Situata ishte acaruar nga fundi i majit kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore hynë në objektet komunale me ndihmën e policisë. Veprimi nxiti reagimin edhe të dhunshëm të popullatës lokale.

Pas trysnisë së BE-së, Qeveria e Kosovës ra dakord që ta përgjysmojë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje. Por, sulmi në Banjskë ku grupe të armatosura qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë një pjesëtar të saj më 24 shtator, çoi në zhvillime të reja.

Rritet prania policore

Kreu i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se policia ka rritur praninë në veri.

E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm.

Hoxha nuk ofroi detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por tha se institucioni që drejton, vazhdimisht është në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR dhe me të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për praninë e forcave speciale në veri, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

I kontaktuar nga REL-i, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, nuk zgjodhi të flasë për këtë çështje. Shkurtimisht tha se do ta ftojë për raportim në komision ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Duke folur në ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë enë katër komunat në veri, sikurse gjithandej në territorin e Republikës.

Ajo çfarë ne kemi trashëguar është një letër e ish-kryeministrit Thaçi lidhur me praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in. Ne e kemi respektuar dhe vazhdojmë ta respektojmë atë zotim të njëanshëm të Thaçit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49207 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE