Vetëpunësimi bie në 29.3%, niveli më i ulët që nga viti 2015!

vovalbania September 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vetëpunësimi bie në 29.3%, niveli më i ulët që nga viti 2015!

Në tremujorin e dytë të vitit, të vetë-punësuarit zunë 29.3% të totalit të punësimit. Kjo ishte përqindja më e ulët që nga tremujori i dytë i 2015-ës sipas të dhënave historike të INSTAT-it.

Vetëpunësimi hyri në një trend rënës që nga 3-mujori i tretë i vitit të kaluar kur zinte 32% të totalit. Kjo rënie po tregon ndryshimin e strukturës së punësimit. Prej vitesh, qendrat tregtare dhe supermarketet po ushtrojnë presion mbi njësitë e vogla të shitjes me pakicë dhe ato të shërbimeve që njihen zakonisht si ushqimorët dhe kafenetë e lagjeve.

Tregu i punës ka shfaqur ofertë në rritje për punonjës pothuajse në të gjithë sektorët. Mungesa e punonjësve ka ndikuar në rritjen e pagave në sektorin privat vitet e fundit. Ofertat për punësim shpesh tejkalojnë fitimet që vijnë nga njësitë e vogla të shërbimeve, duke bërë që të ketë një zhvendosje nga vetëpunësimi në punësim me pagë.

Vetëpunësimi është ofruesi më i madh i punës në vend, por jo kundrejt pagës. Shumica e atyre që raportohen si të punësuar pa pagë zakonisht janë të vetëpunësuar në bizneset e familjes. Kjo kategori të punësuarish që shpesh strehojnë informalitetin nuk paguajnë sigurime dhe rrezikojnë të krijojnë një plagë sociale në të ardhmen.

Numri i të vetë-punësuarve pësoi një rritje artificiale vitet e fundit për të shmangur tatimet nga profesionistët. Shumë të punësuar me paga të larta u regjistruan si biznese të vogla (profesione të lira) për të shmangur tatimet mbi pagën.

Por, numri i tyre mund të reduktohet sërish pasi përmes ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetë-punësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zbritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetë-punësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

Shqipëria ka një nga normat më të larta të vetëpunësimit në Europë. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëpunësimi ka rënë paksa në BE gjatë viteve, nga 10.2% më 2010-ën në 8.9% më 2021-shin. Vetëpunësimi ishte më i zakonshmi në vendet jashtë BE-së, veçanërisht në Shqipëri (35% e të gjithë punëtorëve) dhe Serbia (16% e të gjithë punëtorëve).

Ndër vendet anëtare të BE-së, Greqia (16%), Polonia dhe Italia (të dyja 15%) kishin përqindjet më të larta. Vetëpunësimi i personave të varur ekonomikisht ishte më i zakonshëm në Shqipëri (11%), Kosovë (5%) e Serbi (4%)./Monitor

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51739 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE