Kurti në Kuvend: Nëse kalon e pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin!

vovalbania September 28, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kurti në Kuvend: Nëse kalon e pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin!

Kuvendi i Kosovës ra dakord të hartojë një projekt-rezolutë për dënimin e sulmeve ndaj policisë, më 24 shtator kur në fshatin Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku, si dhe tre sulmues. Seanca e sotme nisi me një minutë heshtje në nderim të heroit. Në Kuvend, kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për sanksionim e ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin në Banjskë. Sipas tij, nëse kalon pa u ndëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin.

Ndër të tjera, Albin Kurti apeloi që Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës, siç veproi Prishtina më 29 qershor. Besohet se ato veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, shumicë në këtë zonë. Kurti i falënderoi të gjitha shtetet që e dënuan sulmin ndaj Policisë së Kosovës, si dhe për mbështetjen e ofruar.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur sipas saj, “është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës”.

E diela që lamë pas, shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër. Kusari-Lila fajësoi Serbinë për sulmin.

Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviçit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar.

Kryetari i subjektit opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi, bëri thirrje për hetim ndërkombëtar për të vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.

Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikën tonë, adresën kryesore e ka në Beograd.

Kosova duhet të kërkojë ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët  kanë kryer sulmin mbi shtetin tonë.

Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri. Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më e përshtatshmja e mundshme”.

Faktet janë të qarta: Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësinë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48719 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE