Tërmet në Afganistan, 15 viktima e 78 të plagosur/Jepet alarmi: Mund të jenë qindra të vdekur!

vovalbania October 07, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tërmet në Afganistan, 15 viktima e 78 të plagosur/Jepet alarmi: Mund të jenë qindra të vdekur!

Tërmet në Afganistan, të paktën 15 viktima e 78 të plagosur në perëndim të vendit. Mësohet se lëkundja e magnitudës 6.3 Rihter e kishte epiqendrën 40 kilometra në veriperëndim të Heratit, pranë kufirit me Iranin. Më pas u shënuan dy pasgoditje të forta. Numri i viktimave pritet të rritet për shkak se shumë vetë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Në një raportim paraprak, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se paralajmëroi për qindra persona që mund të kenë gjetur vdekjen.

Ka të ngjarë që të ketë një numër të konsiderueshëm të viktimave dhe që fatkeqësia të përhapet. Në tërmetet e kaluara të kësaj shkalle është dashur një përgjigje e organizuar si në nivel rajonal, ashtu edhe në atë kombëtar.

Autoritetet afgane për menaxhimin e fatkeqësive kanë raportuar se në zonat rurale dhe malore pati rrëshqitje të dheut. Herati gjendet 120 kilometra në lindje të kufirit me Iranin dhe konsiderohet kryeqyteti kulturor i Afganistanit.

Sipas të dhënave të vitit 2019 të Bankës Botërore, në provincën Herat jetojnë 1.9 milion banorë. Shpesh, Afganistani goditet nga tërmetet, sidomos në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet në afërsi të pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.

Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1 mijë persona humbën jetën e qindra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet i magnitudës 6 i shkallës Rihter goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka tronditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.

Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit 6.5 Rihter dhe që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.

Nga ana tjetër, kujtojmë se Afganistani po përballet me një krizë humanitare, për shkak të ndalimit të ndihmës së huaj pas rikthimit të talebanëve në pushtet, në gusht të vitit 2021 kur u tërhoqën forcat ushtarake të koalicionit ndërkombëtar me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49824 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE