Ambasadorja amerikane në NATO: KFOR-i do të ketë kapacitetet për t’u përballur me sfidat!

vovalbania October 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ambasadorja amerikane në NATO: KFOR-i do të ketë kapacitetet për t’u përballur me sfidat!

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, tha se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR do të ketë në dispozicion të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me sfidat. Para takimit të ministrave të Mbrojtjes së Aleancës ushtarake perëndimore, Smith deklaroi se pas rritjes së dhunës në veri të Kosovës, në selinë e NATO-s u monitoruan nga afër zhvillimet në terren.

Të gjithë ne këtu në selinë e NATO-s, të gjithë aleatët e kemi monitoruar situatën në terren në Ballkanin Perëndimor. Kemi qenë të shqetësuar për rritjen e shenjave për paqëndrueshmëri dhe shtimin e dhunës. Për këtë arsye, KFOR-i mori disa vendime për përdorimin e forcave strategjike rezervë. Në Kosovë është rritur prania e ushtarëve nga Mbretëria e Bashkuar, Rumania dhe shtetet e tjera.

Pasi më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh, NATO njoftoi për dërgimin e ushtarëve shtesë në kuadër të misionit të KFOR-it.

Si pasojë e sulmit në Banjskë të Zveçanit u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve mes policisë dhe grupit të armatosur u vranë tre sulmues. Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Ambasadorja Smith theksoi se aleatët e NATO-s do të vazhdojnë të konsultohen me komandantin e forcave të NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, për të parë nëse ka nevojë për ndihmë shtesë që KFOR-i të ketë mundësi të kryejë mandatin në Kosovë e të përballet me të gjitha sfidat.

Diplomatja përsëriti thirrjet drejtuar partnerëve në rajon që të ndjekin rrugën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, duke thënë se dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme. Ministrat e Mbrojtjes së 31 shteteve të NATO-s do të takohen nesër dhe të enjten në Bruksel.

Më herët u bë e ditur se gjeneral-major Ozkan Ulutash mori detyrën e komandantit të KFOR-it, në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta. Hera e parë që KFOR-i udhëhiqet nga një komandant turk.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49357 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE