Nuk ndalen protestat e Mjekësisë kundër punësimit me detyrim!

vovalbania October 11, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nuk ndalen protestat e Mjekësisë kundër punësimit me detyrim!

Studentët e Mjekësisë protestuan sërish duke refuzuar të hyjnë në auditore ndërsa ka nisur java e dytë e vitit akademik. Ata kundërshtojnë ligjin e punësimit në vend për 5 vjet pas përfundimit të shkollës sikundër nuk pranojnë tarifën e studimit 240 mijë lekë. Me pankarta në duar dhe të veshur me bluzat e bardha, marshuan drejt Ministrisë së Arsimit duke kërkuar përballje publike me ministren Ogerta Manastirliu.

Protesta e studentëve krijoi bllokim qarkullimi në Rrugën e Durrësit, si dhe pati ndërprerje të përkohshme të qarkullimit për autobusët e disa linjave. Gjatë protestës u qëllua me vezë në drejtim të godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Studentët thonë se protestat dhe bojkoti do të vijojnë deri në dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit. Ata kundërshtojnë ligjin e ri, i cili i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Për këtë ligj thonë se iu shkel të drejtat themelore, si ajo për të zgjedhur se ku duan të ushtrojnë profesionin.

Më 6 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për “Trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. Përmes tij, qeveria vendosi detyrimin për studentët e Mjekësisë që të punojnë të paktën 2-5 vite pas diplomimit në Shqipëri ose në të kundërt të paguajnë një tarifë që përkon me koston për arsimimin.

Ndërkaq insistojnë në shfuqizimin e ligjit, ndërsa që prej fillimit të vitit akademik, auditoret e Fakultetit të Mjekësisë kanë qenë pothuajse bosh.

Tarifa u miratua dy ditë më parë nga bordi i administrimit, ku çdo student i mjekësisë që nuk përmbush detyrimin ligjor për të ofruar shërbim shëndetësor deri në 5 vite në vendin e tij, duhet të paguajë një tarifë prej 240 mijë lekësh të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite, studentët duhet të paguajnë 1.440.000 lekë.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, për të përcaktuar këtë tarifë u ngrit një grup pune për përllogaritjen e kostove për një student që ndjek studimet në fakultetin publik të Mjekësisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48876 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE