Pas sulmit në Banjskë, Amerika i dhuron dronë Policisë së Kosovës!

vovalbania October 11, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pas sulmit në Banjskë, Amerika i dhuron dronë Policisë së Kosovës!

Policisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara i dhuruan shtatë dronë, që do të shërbejnë për misione vëzhguese dhe taktike, sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të donacionit në Prishtinë, Hovenier tha se ndihma më e fundit e SHBA-ve për institucionet e zbatimit të ligjit “pasqyron përkushtimin afatgjatë të tyre për zhvillimin e Policisë së Kosovës”.

Kjo është dëshmi shtesë e besimit të SHBA-ve ndaj Kosovës për kryerjen e misioneve të pavarura në luftën kundër narkotikëve dhe për zbatimin e ligjit.

Ky donacion vjen rreth tre javë pasi policia u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Duke parë shkallën e aktiviteteve kriminale të grupeve të organizuara në rajon, këto mjete fluturuese pa pilotë do të jenë një burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit në Kosovë për të luftuar veprimtaritë kriminale në tokë dhe në ajër.

Kujtojmë se policia e Kosovës përdori dronë për të regjistruar e identifikuar organizatorin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç.

Drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha tha se policia do të mundohet t’i përdorë dronët e dhuruar nga SHBA-ja në mënyrën më të mirë të mundshme, për një siguri sa më të madhe për qytetarët e të gjithë Kosovës.

Donacioni do të ndikojë pozitivisht në ngritjen e kapaciteteve të policisë për të menaxhuar situata në terren, përfshirë në monitorimin e kufijve të Kosovës dhe në operacione të tjera të hetimit që Policia e Kosovës do t’i kryejë në të ardhmen.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se Beogradi zyrtar qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “përpjekje për të aneksuar veriun e Kosovës”.

Më 3 tetor, Radoiçiç, ish-kryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e që ka mbështetjen e Beogradit u arrestua në Serbi, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49380 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE