Rajoni i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore, kërkohet diversifikim i tregut të sigurimeve!

vovalbania October 18, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rajoni i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore, kërkohet diversifikim i tregut të sigurimeve!

“I gjithë rajoni është i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve të klimës”. Kështu tha ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, sot në konferencën për tregun e sigurimeve. Sigurimi nga katastrofat dhe sigurimi në bujqësi janë në vëmendje të rregullatorëve rajonalë e ndërkombëtarë.

Në vitin 2019, Shqipëria u përball me një tërmet me pasoja të rënda, me efekte shkatërrimtare e humbje jete. Dëmet e shkaktuara u vlerësuan në rreth 1.1 miliardë euro ose 7.5% e PBB-së. Nga këto, shoqëritë e sigurimit paguan rreth 40 milion euro dëme për qytetarët dhe bizneset e dëmtuara. Për pjesën tjetër, nga viti 2020 deri aktualisht, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar afro 890 milion euro për procesin e rindërtimit dhe për pagesat e bonusit të qirasë. Tërmeti nxori në pah një tjetër aspekt që sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore.

Nisur nga sa më sipër, vlerësohet i domosdoshëm përcaktimi i mekanizmave të mbrojtjes dhe transferimit të rrezikut. Me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Kjo konferencë do të diskutojë më në detaje për këtë temë, por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut.

Po ashtu, bujqësia është një nga sektorët e rëndësishëm të ekonomisë sonë, që rezulton në masë të madhe e ekspozuar ndaj ndryshimit të kushteve klimatike. Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore e kushteve klimatike. Ky sigurim është pak i zhvilluar në Shqipëri, ndaj ndarja e eksperiencave më të mira në këtë drejtim do të ishte e dobishme për një avancim sa më të mirëmenduar.

Sigurimet janë pjesë e rëndësishme e sektorit financiar, me kontribut në promovimin e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik. Ato mund të ulin impaktin e goditjeve në ekonomi, si edhe të rrisin përfshirjen financiare.

Shtysë kryesore për zhvillimin e këtij tregu tashmë do të jetë përafrimi i plotë me standardet europiane. Udhërrëfyesi i miratuar në bashkëpunim me Bankën Botërore drejt regjimit Solvency II, rregullat e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar IFRS 17, që pritet të hyjnë në fuqi në fillim të vitit 2025, si edhe më gjerë baza rregullatore europiane do të jenë përcaktuese për zhvillimin e sektorit të sigurimeve në të gjithë rajonin.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49420 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE