Maskara në spitalin e Gazës, senatorët amerikanë: Kemi informacione se nuk e shkaktoi Izraeli!

vovalbania October 19, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Maskara në spitalin e Gazës, senatorët amerikanë: Kemi informacione se nuk e shkaktoi Izraeli!

Senatorët amerikanë që morën pjesë në një seancë ku zyrtarë të lartë të mbrojtjes e të tjerë të administratës Biden ndanë informacione të klasifikuara, u informuan se “Izraeli nuk ishte përgjegjës për sulmin në një spital palestinez në Gaza”, dy netë më parë. Qindra persona gjetën vdekjen, shumë prej të cilëve të plagosur që merrnin mjekim.

Izraeli fajësoi Xhihadin Islamik, por grupi militant mohoi përgjegjësinë dhe akuzoi izraelitët se gënjejnë.

Lidhur me takimin, senatori Chuck Schumer deklaroi:

Vlerësimi i komunitetit të Inteligjencës është se Izraeli nuk është fajtor për shpërthimin në spitalin në Gaza. Ata besojnë se ishte një raketë e lëshuar nga terroristët në Gaza.

Senatori demokrat, Chris Murphy, theksoi se inteligjenca “është e vendosur” në vlerësimin se ky nuk ishte një operacion izraelit.

Më vonë, përmes një deklarate të përbashkët, kryetari i Komitetit të Senatit për Inteligjencën, Mark Ëarner e senatori Marc Rubio, thanë se pasi shqyrtuan vlerësimin e Inteligjencës janë “të bindur se shpërthimi ishte rezultat i një lëshimi të dështuar të një rakete nga militantët terroristë dhe nuk ishte rezultat i një sulmi ajror izraelit”.

Militantët e Hamasit nisën sulmet ndaj Izraelit më 7 tetor e kjo çoi në një përgjigje të ashpër nga autoritetet izraelite që pa u ndalur kanë bombarduar Rripin e Gazës.

Lufta mes Hamasit dhe Izraelit vazhdon me sulme të reja në Rripin e Gazës. Pas një vizite shtatë-orëshe në Tel Aviv, presidenti amerikan, Joe Biden tha se “nuk ka prioritet më të lartë se lirimi i pengjeve”, ndërsa njoftoi 100 milion dollarë ndihma humanitare për Gazën.

Siç saktësoi shefi i Shtëpisë së Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë ofruar trupa Izraelit nëse grupi militant pro-iranian, Hezbollah fillon luftën nga territori i Libanit.  Ndërkaq, Egjipti dha miratimin që nesër të hapet pikëkalimi kufitar Rafah, për 20 kamionë me ndihma.

OKB-ja thotë se Gaza ka nevojë për 100 kamionë ndihma humanitare në ditë. Rripi i Gazës është shkatërruar nga bombardimet e pareshtura izraelite që nga 7 tetori, kur Hamasi kreu një sulm të përgjakshëm kundër Izraelit. Shefi i OKB-së për Ndihma Humanitare, Martin Griffiths, tha se “ky do të duhej të ishte programi i ndihmave për Gazën” madje edhe para se të niste lufta, rreth dy javë më parë.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE