Buxheti 2023, rishpërndahen 436 milion euro/Përfitojnë rrugët dhe rindërtimi!

vovalbania October 31, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Buxheti 2023, rishpërndahen 436 milion euro/Përfitojnë rrugët dhe rindërtimi!

Sot në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Ervin Mete tha se rishikimi i Buxhetit 2023 nëpërmjet aktit të fundit normativ parashikon rritje të shpenzimeve të përgjithshme, kundrejt rritjes së të ardhurave, në të njëjtën masë prej rreth +7.5 miliardë lekë, duke arritur një total prej 705.6 miliardë lekësh.

Bashkë me këtë rritje, Akti Normativ rishpërndan rreth 46 miliardë lekë (436 milion euro), vlerë e gjeneruar si rezultat i kombinimit të kursimeve në zërat që kanë pasur nënrealizim në nivel 9 mujor dhe alokimit të shtesave për politikat e projektet me performancë pozitive.

Gjatë 2023-shit, shpenzimet publike janë karakterizuar nga kursime të larta, si pasojë e situatës së përmirësuar energjetike, shpenzimeve më të ulëta për interesa dhe ecurisë në disa projekte investimesh publike, sidomos me financim të huaj. Për shkak të vonesave kryesisht procedurale, nuk kanë arritur disbursimet e planifikuara.

Ndërkohë, zbatimi i projekteve të brendshme, në veçanti procesi i Rindërtimit synohet të përshpejtohet më tej përmes rialokimit të fondeve shtesë të propozuara në këtë Akt Normativ.

Në shpenzimet buxhetore, shtesat shkojnë në sektorë si rindërtimi, ujësjellësit, rrugët, bujqësia, Policia e Shtetit, etj. Në terma konkretë, rritjet më domethënëse janë aplikuar për:

-Fondin e Rindërtimit që rritet në masën +12 miliardë lekë, me qëllim plotësimin e nevojave për financimin e projekteve në vazhdim, qe aktualisht zbatohen nga bashkitë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo shtesë siguron financimin e plotë të punimeve të kryera deri tani, si dhe punëve të pritshme për t’u realizuar deri në fund të vitit 2023.

-Projektet me financim të brendshëm rriten me 13.8 miliardë lekë, kryesisht me qëllim akomodimin e detyrimeve për projektet në vazhdim të rrugëve me rreth 8.6 miliardë lekë, ujësjellësve me rreth 4.9 miliardë lekë, AKSHI-t me 2.35 miliardë lekë dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit me 1.5 miliardë lekë. Fondet buxhetore për shpenzime kapitale po orientohen drejt atyre sektorëve, të cilët performojnë më mirë, natyrisht duke vlerësuar të gjithë sektorët.

-Shpenzimet Korrente rriten me 10.7 miliardë lekë, ku vendin kryesor e zë mbështetja për fermerët, skema e paaftësisë, ish-të përndjekurit, policia, sistemi i burgjeve, rrugët dhe mirëmbajtja e sistemeve të AKSHI-t.

-Fondi Rezervë dhe Kontigjenca është rritur 1.7 miliardë lekë, përkatësisht 300 milion lekë fondi rezervë, me qëllim garantimin e financimit të shpenzimeve të paparashikuara deri në fund të vitit 2023 dhe 1.4 miliardë lekë kontigjenca me qëllim adresimin eventual të të gjitha kërkesave të mbetura të institucioneve për mbulimin e efektit të aplikimit të pagave të reja për vitin 2023.

-Fondeve për pushtetin vendor u shtohen 250 milion lekë për pjesën e taksave të ndara që i transferohen buxhetit vendor, për shkak të realizimit të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksës së rentës minerare në rang vendi. Gjithashtu, akordohet një shtesë prej 220 milion lekësh, në formën e transfertës së pakushtëzuar për mbulimin e shpenzimeve të veprimtarive e të funksioneve të njësive të vetëqeverisjes vendore me vështirësi financiare.

Në përmbyllje, është e rëndësishme të ritheksoj se ndryshimet e propozuara në këtë Akt Normativ, nuk prekin deficitin buxhetor, i cili ruhet në nivelin e planit fillestar 2023, duke siguruar rënien e mëtejshme të borxhit publik në raport me PBB-në.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48935 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE