Nisin kalimet e para të njerëzve nga Gaza në Egjipt përmes Rafahut!

vovalbania November 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nisin kalimet e para të njerëzve nga Gaza në Egjipt përmes Rafahut!

Dhjetëra persona sot hynë në pikëkalimin kufitar të Rafahut, që lidh Gazën me Egjiptin. Duket se kjo është hera e parë që qytetarët me pasaporta të huaja lejohen të largohen nga territori i rrethuar që kur nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit, pasi grupi militant palestinez kreu sulme në jug të territorit izraelit, më 7 tetor.

Në javën e fundit, qindra persona u mblodhën në këtë pikëkalim, por nuk u lejuan që të kalonin për shkak të mosmarrëveshjeve mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit. Askush nuk është lejuar që të largohet nga Gaza, përveç katër pengjeve të liruar nga grupi militant. Edhe një peng u shpëtua nga forcat izraelite më herët gjatë kësaj jave.

Media shtetërore egjiptiane raportoi se mbi 80 palestinezë të plagosur, sot do të kalojnë nga Gaza për në Egjipt, që të marrin trajtim të specializuar mjekësor. Autoambulancat janë parë duke hyrë në pikëkalimin kufitar në Rafah nga ana egjiptiane, ndërsa disa spitale janë ngritur në qytetin e afërt kufitar Sheik Zuveid.

Autoritetet kufitare palestineze njoftuan se mbi 400 vetë me pasaporta të huaja do të lejohen që të largohen nga Gaza brenda ditës. Egjipti ka bërë të qartë se nuk do të pranojë një fluks refugjatësh palestinezë, nga frika se Izraeli nuk do të lejojë që ata të kthehen në Gaza pasi të përfundojë lufta.

Me urdhër të Izraelit, Gaza mbahet e rrethuar që nga nisja e luftës, duke bërë që furnizimet me ushqim, ujë, ilaçe dhe karburante të jenë të pakta. Izraeli ka lejuar grupet ndërkombëtare të ndihmës të dërgojnë mbi 200 kamionë me furnizime jetike gjatë dhjetë ditëve të fundit, por punonjësit e agjencive përkatëse thonë se kjo sasi nuk mjafton.

Mbi 8 mijë e 500 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, shumica gra dhe të mitur, siç raportoi dje Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Mbi 1 mijë e 400 persona u vranë në Izrael, shumica civilë, gjatë sulmeve të Hamasit. Po ashtu, militantët kanë rrëmbyer mbi 240 persona.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48765 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE