Buxheti 2024, shkurtohen me 9% fondet e bujqësisë, më pak financime për fermerët!

vovalbania November 02, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Buxheti 2024,  shkurtohen me  9% fondet e bujqësisë, më pak financime për fermerët!

Në Buxhetin 2024, sektori i bujqësisë do të marrë së paku 9% më pak financime se plani i këtij viti i finalizuar në Aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit 2023.

Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë do të jenë 14,1 miliardë lekë më 2024-ën, nga 15,6 miliardë  lekë që janë këtë vit.

Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse  të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë nga 10 miliardë këtë vit, me një ulje 28% ose rreth 25 milion euro.

Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që edhe Bashkimi Europian ka bllokuar fondet nga skema IPARD për shkak të aferave korruptive të gjetura me ndarjen e fondeve në vendin tonë. Në të kundërt, fondet për planifikimin dhe menaxhimin janë rritur me 22% dhe ato për sigurinë ushqimore, me 36%.

Në një kohë që qeveria ka ulur financimin për Bujqësinë, pret që sektori të ketë rritje me 2.8% dhe punësimi të rritet me tej, në dy vitet në vijim.

Teksa fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme, Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor. 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë, pasi vetëm 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.

Shqipëria financoi mesatarisht më 0.19% të PBB-së sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021. Sipas një krahasimi të Bankës Botërore, ky është niveli më i ulët në Rajon dhe në BE.

Në të njëjtën periudhë, vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së, ndërsa tre vende të Rajonit, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kishin norma më të larta financimi në raport me PBB-në e bujqësisë së BE-së.

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në Rajon me nivel të ulët të mbështetjes për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së, me rreth 19%.

Shumica e shpenzimeve publike që jepen për bujqësinë në Ballkan përdoren për pagesa të drejtpërdrejta. Në vende si Bosnjë-Hercegovinë, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, pesha e pagesave direkte për fermat arrin në 70-80% të  buxheteve të bujqësisë, shumica e të cilave e lidhur me prodhimin blegtoral ose përdorimin e inputeve.

Vetëm në Shqipëri, më shumë se 70% e buxhetit bujqësor shkon për shpenzime operative të aparatit burokratik dhe vetëm një pjesë e vogël për mbështetje direkte te fermerët./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49579 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE