OKB: Dëmtohen katër shkolla të shndërruara në strehimore në Gazë

vovalbania November 02, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
OKB: Dëmtohen katër shkolla të shndërruara në strehimore në Gazë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) tha të enjten se katër prej shkollave të saj në Gazë, të cilat po përdoren si strehimore, janë dëmtuar në 24 orët e fundit.

Njëra nga shkollat e prekura ishte në kampin e refugjatëve Xhabalia “pas dy ditëve të bombardimeve të mëdha në këtë zonë”, tha agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Shkollat e tjera të goditura ishin një në Shati dhe dy të tjera në Bureij, sipas saj.

“Në jug, dy shkolla të shndërruara në strehimore në kampin e refugjatëve Bureij u dëmtuan. Raportohet për dy të vrarë dhe 31 të plagosur”, tha ajo në një komunikatë për media.

Sipas OKB-së, katër shkollat e dëmtuara ishin strehë e gati 20.000 njerëzve.

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë thotë se gati 50 prej ndërtesave të saj janë prekur nga lufta prej 7 tetorit, kur Hamasi kreu sulme befasuese në Izrael, duke i vrarë mbi 1.400 njerëz dhe duke i rrëmbyer më shumë se 240 të tjerë.

Izraeli e ka bombarduar Rripin e Gazës prej atëherë, sepse synon ta “rrënojë Hamasin”, grupin militant palestinez.

OKB-ja thotë se, deri më sot, 72 punonjës të saj janë vrarë në Gazë, shpesh bashkë me familjet e veta.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi, thotë se më shumë se 9.000 palestinezë janë vrarë nga bombardimet izraelite në enklavën me 2.3 milionë banorë prej 7 tetorit.

Më shumë se 3.600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Pothuajse gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Rripin e Gazës janë nën moshën 18-vjeçare dhe fëmijët përbëjnë 40 për qind të personave që janë vrarë deri më tani gjatë luftës.

Izraeli fajëson Hamasin për numrin e viktimave në Gazë, që tashmë ka arritur në mbi 9000, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Izraeli ka argumentuar se grupi militant operon nga lagjet ku jetojnë civilët. Por, palestinezët kanë thënë se numri i lartë i viktimave është dëshmi se sulmet izraelite janë pa dallim.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48756 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE