SPAK-u mbylli hetimet për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës!

vovalbania November 03, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SPAK-u mbylli hetimet për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës!

Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim dosjen ndaj kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës. Edison Memolla akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. Nën akuzë janë edhe tre persona, mes tyre Blerim Xhamani e Isuf Tosku, dy punonjës të FSHU-së (Furnizuesi i Shërbimit Universal), kompania që furnizon energjinë elektrike.

Procedimi penal ndaj tyre lidhet me zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022. Në atë kohë, ai kandidat për kryetar bashkie, Memolla u regjistrua në bisedë me elektriçistin Blerim Xhamani, të cilit i kërkon të mos i ndërpresë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që të votonte në favor të tij në zgjedhje.

Me elektriçistin Xhamani, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

Po ashtu, Xhamani me Toskun rezultojnë se “kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor”.

Nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje u vu dhe një person i katërt, Ndriçim Tafxhafa, i cili sipas hetimeve “i premtoi një shtetaseje shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE-së dhe strehim, duke i kërkuar të votonte në favor” të kandidatit socialist.

Në krye të Bashkisë së Rrogozhinës, Memolla u konfirmua edhe në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Fillimisht doli fitues me diferencë të vogël votash. Pas ankimit të opozitës, zgjedhjet u ripërsëritën në korrik dhe Memolla doli sërish fitues, me diferencë të thellë me rivalin.

Vetëm gjatë këtij viti, janë disa ish-kryebashkiakë apo kryetarë bashkie në detyrë, nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Ish-kryebashkiaku socialist i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, u dënua me 1 vit e 6 muaj.

Kryetari socialist i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, nënkryetarja, si dhe 6 zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie, u arrestuan në mars për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dokumentesh dhe formularësh”. Çështja ndaj tyre ka shkuar në gjykim.

Në qershor u arrestua ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit, Vangjush Dako, nën dyshimet për “Shpërdorim detyre” në të paktën dy raste.

Po në qershor, nën dyshimet për korrupsion, u arrestua kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, pak pasi dha dorëheqjen për shkak të publikimit të një video skandali seksual, me një grua, e cila kërkonte fonde nga bashkia.

Nën akuzën e korrupsionit në zgjedhje, për shitblerje të votave, kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri është në proces gjyqësor.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49226 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE