Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën!

vovalbania November 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lajçak sot në Kosovë për takime me Kurtin dhe opozitën!

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, sot shkon në Prishtinë për t’u takuar me liderët kosovarë e për të biseduar lidhur me draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e çështje të tjera. Siç mëson Radio Evropa e Lirë, Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në Kosovë.

Emisari i BE-së shkon në Prishtinë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, kur Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç patën takime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës e Italisë, si dhe zyrtarë të tjerë të BE-së.

Para atyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë me në krye Lajçakun, vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor. Kosovës dhe Serbisë iu prezantuan një draft-statut për Asociacionin, për të cilin thonë se “është model modern europian”, por përmbajtja e dokumentit, nuk është bërë e ditur deri më sot.

Kurti ka shtuar se është i gatshëm të pranojë e të nënshkruajë draft-statutin për themelimin e Asociacionit, ndërsa presidenti serb Vuçiç e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de facto të Kosovës.

Burime diplomatike në Bruksel shtojnë se ka përpjekje për të organizuar një takim të ri në kuadër të dialogut në nivel të kryenegociatorëve. Edhe përgatitja e një takimi të tillë mund të jetë një prej arsyeve të udhëtimit të Lajçakut në Prishtinë. Javën e kaluar, Lajçak paralajmëroi se një takim në nivel kryenegociatorësh do të mund të zhvillohet “së shpejti”.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013-ën e më pas më 2015-ën, mbi parimet për themelimin e tij. Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konkludoi se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, ndaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë.

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç ranë dakord në Bruksel e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE