Ukraina: Kemi dëmtuar anije ruse në Krime!

vovalbania November 10, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina: Kemi dëmtuar anije ruse në Krime!

Departamenti i Inteligjencës në Ministrinë ukrainase të Mbrojtjes, njoftoi se ushtria e Ukrainës ka dëmtuar dy anije zbarkuese ruse në Krimenë e pushtuar e këtë e bëri përmes disa sulmeve të nisura mëngjesin e ditës së sotme. “Po, ky informacion është i vërtetë!” konfirmoi zyrtari i inteligjencës Andriy Yusov duke folur për Radion Evropa e Lirë, pas raportimeve të bëra nga mediat ukrainase.

Në raportimet e mediave u tha edhe se sulmi ka ndodhur në Çornomorske, në pjesën perëndimore të Krimesë e se janë shënjestruar dy anije zbarkuese të shpejta ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes vuri në dukje se mbrojtja e saj ajrore “ka shkatërruar” tre dronë ukrainas mbi territorin e Krimesë dhe në rajonin Tula, në jug të Moskës.

Si kundërpërgjigje, zyrtarët ukrainas theksuan se dronët rusë kanë sulmuar rajonet ukrainase Dnjipropetrovk, Harkiv, Mikollaiv, Polltava dhe Kiev. Ata thanë se kanë rrëzuar pesë dronë iranianë e një raketë lundruese.

Deri më tani nuk ka raportime për të plagosur apo dëme të tjera. Një ditë më parë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka nënshkruar ligjet që vazhdojnë gjendjen e luftës dhe mobilizimin e përgjithshëm për 90 ditë shtesë.

Ligjet, të cilat janë miratuar në Parlamentin ukrainas më 8 nëntor, e zgjasin gjendjen e luftës deri më 14 shkurt të vitit të ardhshëm. Ligjet e luftës janë zbatuar në Ukrainë prej 24 shkurtit të vitit 2022, ditën kur Rusia ka nisur luftën ndaj këtij shteti.

Në të njëjtën kohë është shpallur edhe mobilizimi i përgjithshëm. Votimi për ta shtyrë këtë gjendje lufte është i nënti për Ukrainën që prej kohës së nisjes së konfliktit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Siç dihet, Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke e goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49453 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE