Franca regjistron mbi 1 mijë e 500 incidente antisemitike që nga 7 tetori!

vovalbania November 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Franca regjistron mbi 1 mijë e 500 incidente antisemitike që nga 7 tetori!

Më shumë se 1 mijë e 500 veprime dhe deklarata antisemitike janë regjistruar në Francë që nga shpërthimi i luftës së Izraelit me Hamasin, grupin radikal palestinez që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian. Kjo u bë e ditur sot nga ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin.

Ndërsa ka nisur lufta në Rripin e Gazës, janë rritur tensionet në Francë, shtet në të cilin jetojnë komunitete të mëdha hebraike e gjithashtu myslimane.

Ka pasur 1 mijë e 518 veprime apo deklarata antisemitike, theksoi Darmanin në një intervistë për Europe 1.

Kjo shënon rritje me më shumë se trefish në krahasim me të gjithë vitin e kaluar kur u regjistruan 436 veprime apo deklarata antisemitike.

Këto janë kryesisht etiketime dhe fyerje, por ka edhe sulme e lëndime. Të tilla veprime rezultuan me 571 arrestime.

Teksa shënohet rritje e antisemitizmit në mbarë botën, në fund të tetorit, prokurorët e Parisit hapën hetim për një incident pasi dhjetëra Yje te Davidit u shfaqën në ndërtesat në qytet e në periferi të kryeqytetit të Francës.

Parisi zyrtar ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në punët e saj, duke shpërndarë foto në internet të grafiteve antisemitike. Darmanin vuri në dukje edhe se janë regjistruar incidente antimyslimane, por shtoi se “ato nuk janë në shkallën e asaj që po shohim sa i përket antisemitizmit”.

Disa xhami kanë marrë kërcënime për akte dhune.

Ministria e Drejtësisë, dje konfirmoi për AFP-në se janë hapur hetime për akte antisemitike dhe justifikimet e terrorizmit që nga data 7 tetor. Të dielën e kaluar, më shumë se 180 mijë njerëz marshuan kundër antisemitizmit në Francë.

Marshimi u zhvillua një ditë pasi mijëra njerëz demonstruan në Paris me thirrjen: “Stop masakrës në Gaza!”.

Më 7 tetor, grupi ekstremist palestinez Hamas filloi një sulm në Izrael, duke vrarë rreth 1 mijë e 400 njerëz, kryesisht civilë e duke marrë peng rreth 240 të tjerë, referuar zyrtarëve izraelitë.

Izraeli është kundërpërgjigjur me një bombardim të Rripit të Gazës e një pushtim tokësor, duke vrarë më shumë se 11 mijë persona, shumë prej tyre fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e drejtuar po nga grupi militant Hamas.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48831 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE