GJKKO-ja vendosi “Detyrim për paraqitje”, ish-ministri Ilir Beqaj në SPAK!

vovalbania November 20, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
GJKKO-ja vendosi “Detyrim për paraqitje”, ish-ministri Ilir Beqaj në SPAK!

I shoqëruar nga avokatët, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sot u paraqit në SPAK për t’u njohur me masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” lidhur me çështjen e Koncesionit të Sterilizimit ku akuzohet “Për shpërdorim detyre”. Beqaj do të merret në pyetje, ndërsa mbahet edhe seanca gjyqësore mbi verifikimin e kushteve të zbatimit të masës ndaj tij. Para Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Beqaj duhet të paraqitet një herë në javë, të premteve, ora 15:30.

Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani, nga hetimi i SPAK-ut, ai rezulton zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e Partneritetit Publik-Privat të sterilizimit, me vlerë 100 milion euro, pas arrestimit të zëvendësit të tij në dikasterin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj e biznesmenit Ilir Rrapaj, në gusht të këtij viti.

Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, që siç dyshohet, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt e shtetasit italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme, në kundërshtim me ligjin; hartimin e kritereve, që t’i përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht, si edhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj, si kryetar i Komisionit të Koncesionit e Ilir Rrapajt, si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit, ishin “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Emri i Ilir Beqajt mungoi në fillim në listën e personave të akuzuar “Për shpërdorim detyre” dhe “Mashtrim me pasoja të rënda”, por në një vendim për masë sigurie, gjyqtari Erjon Bani vlerësoi se “shkeljet e akteve ligjore ngriheshin në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj”.

Ndaj tij është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, ndërsa gjyqtari i vlerësoi hetimet si “të paplota” në momentin e vendosjes së 9 masave të para për këtë çështje. Po ashtu, orientoi prokurorinë drejt hetimit edhe për veprat penale të korrupsionit e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49638 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE