Afera “Partizani”, Apeli i Posaçëm liron Jamarbër Malltezin, i cakton “Arrest shtëpie”/Nuk ndryshon masa për Berishën!

vovalbania November 21, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Afera “Partizani”, Apeli i Posaçëm liron Jamarbër Malltezin, i cakton “Arrest shtëpie”/Nuk ndryshon masa për Berishën!

Jamarbër Malltezi nuk do të qëndrojë më në qeli. Apeli rrëzon “Arrestin me burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjyqtarja e Apelit të Gjykatës kundër Korrupsionit, Ilirjana Olldashi, nuk la në fuqi vendimin e GJKKO-së, duke i ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”. Malltezi është nën hetim për aferën e privatizimit të klubit Partizani në Tiranë.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 21.11.2023, ora 11:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 56 akti, datë 14.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 112, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

–          Miratimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 117, datë 26.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit S.B.

–          Ndryshimin e vendimit nr. 112, datë 20.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të verifikuar me vendimin nr. 116, datë 23.11.2023 të së njëjtës gjykatë ndaj ankuesit J.M., si më poshtë:

–          Caktimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “Arrest në shtëpi” ndaj të hetuarit J.M., duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën {…} si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që banojnë në të njëjtën banesë me të.

–          Urdhërohet lirimi nga ambientet e paraburgimit it ë hetuarit J.M., në rast se nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër.

–          Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, policia gjyqësore pranë saj, si dhe policia gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi dhe kontrollimin e zbatimit të urdhrave të dhëna të hetuarit nga kjo gjykatë.

Ndërkaq, u la e pandryshuar masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” për Sali Berishën, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji e ndalim-udhëtimi jashtë Shqipërisë.

Avokati Genc Gjokutaj:

Gjykata shpalli vendimin, duke miratuar Berishën. Por, ndryshoi pjesën për Malltezin, duke caktuar masën e sigurimit “Arrest shtëpie”. Kjo çështje mbetet politike. Eshtë një gërvishtje, Malltezi nuk ka asnjë lloj penaliteti. Ky është kallëzimi dhe regjistrimi i procedimit brenda një dite. E pamundur që për çështje të tilla, brenda një dite kalendarike pune, të regjistrohet kallëzimi dhe procedimi.

Gjokutaj shtoi se nuk do të lihet me kaq, duke vënë në dukje se do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë për ish-kryeministrin.

Berisha nuk ka rrezik që të ikë. Dy herë në javë është në Parlament ndërsa Prokuroria e kërkon. Ajo masë rrjedh nga një arsyetim anti-kushtetues. Të enjten kemi seancën e radhës për humbjen e fuqisë. Do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore e do të jetë një betejë e gjatë. Do të shkojmë në Gjykatën e Lartë.

Masat ndaj tyre u vendosën më 20 tetor, por u zbatuan vetëm ato për Jamarbër Malltezin dhe biznesmenin Fatmir Bektashi, pasi Sali Berisha po refuzon.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49444 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE