Rama në takimin e NATO-s/Liderë të vendeve anëtare nga Ballkani, takim me Stoltenbergun!

vovalbania November 22, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama në takimin e NATO-s/Liderë të vendeve anëtare nga Ballkani, takim me Stoltenbergun!

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në takimin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore, i cili po zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në përshëndetjen përpara nisjes së takimit, të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Rama iu uroi Ditën e Alfabetit.

Së pari, dëshiroj që në gjuhën shqipe t’u uroj të gjithë shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut ditën bekuar të Alfabetit!

Po ashtu vuri në dukje se takimi i liderëve ballkanikë me Stoltenbergun, po mbahet në një kohë të krizave dhe luftërave, që siç u shpreh “kanë mundësi ta rrezikojnë edhe rajonin ballkanik”.

Më vjen shumë mirë që sot mblidhemi këtu, në këtë moment jo të lehtë për të gjithë, një moment luftërash dhe krizash të rënda, që kanë potencialin të rrezikojnë drejtpërdrejtë edhe anën tonë, një moment kur këtu në rajon të gjithë duhet të fokusohemi tek mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur, që është jo pak, një paqe e brishtë e përgjithshme, po sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare e të qëndrueshme.

Sot në Shkup, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg takohet me liderët e shteteve anëtare të Aleancës Ushtarake nga Ballkani, për të biseduar lidhur me sigurinë e rajonit e të tjera çështje. Krahas Ramës, në takimin joformal marrin pjesë presidenti i Kroacisë, Zoran Milovanoviç e kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiç. Stoltenberg theksoi:

Ne do të diskutojmë për sigurinë rajonale me liderët, por edhe të adresojmë sfidat me të cilat përballemi në këtë rajon, shohim më shumë gara globale, luftën në Ukrainë që vazhdon, por edhe luftën e re.

Takimi i Stoltenbergut me liderët e Ballkanit në Shkup, vjen pas turit të tij në vendet e rajonit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi në fillimjavë dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49266 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE