Rama tregon kërcënimet e sigurisë/ Kryeministri flet për Hamasin, Kosovën dhe integrimin në BE!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rama tregon kërcënimet e sigurisë/ Kryeministri flet për Hamasin, Kosovën dhe integrimin në BE!

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit po shpërndan ide që janë të rrezikshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Për kryeministrin Edi Rama, dhuna me bazë fetare, në qendër të konfliktit në Gaza, mund të përdoret si një nxitje për konfliktin e ardhshëm edhe në rajon

 “Hamas dhe te tjerë që e mbështesin atë, janë agjentë të kaosit dhe ky kaos që ata duan të shpërndajnë jo vetëm në lindjen e mesme, por në gjithë botën mund të ndikojë edhe rajonin tonë, nëse nuk jemi mjaftueshëm të vëmendshëm dhe nëse nuk ndërmarrim veprimet e nevojshme për ta përmbajtur kaosin dhe për të parandaluar konfliktin që mund të na përfshijë të gjithëve, si konflikti i shumëdëshiruar i civilizimeve që këta aktore destruktivë duan të portretizojnë”, tha Rama.

Në një intervistë për Këshillin e Atlantikut, një organizatë globale që promovon sigurinë në botë, kryeministri dënoi papërgjegjshmërinë e Serbisë mbi sulmet terroriste në veri të Kosovës, ndërsa të jashtëzakonshëm e konsideroi veprimin e kryeministrit Kurti për pranimin në parim të Asociacionit, në draftin e të cilit ka kontribuar edhe personalisht

 “Duke pranuar në parim asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri dhe qeveria e Kosovës kanë treguar vullnet për të ecur përpara, për të shikuar zgjidhje dhe jo alibi, për të shikuar të ardhmen e jo të shkuarën”, theksoi Rama.

Sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, në optikën e kryeministrit e gjithë qasja ka ndryshuar pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, por nuk parapëlqeu të japë afate.

 “Shoh ndryshime të mëdha në sjelljen dhe vullnetin e BE pasi është më aktive kundrejt rajonit në krahasim me 10 vite më parë. Kam qenë kritik i qasjes dhe pasivitetit të BE, por kjo ka ndryshuar. Rëndësia gjeopolitike e rajonit tashmë është materializuar për BE-në si fakt konkret”, sipas Ramës.

Pyetja për shpjegimin e figurës në portretin e zyrës së kryeministrit shkaktoi edhe batuta në fund të intervistës

“Oh.. ai është gjyshi im, nuk e shikoni ngjashmërinë… Është babai themelues i Shqipërisë, njeriu që ngriti flamurin e Pavarësisë në 1912-ën, kështu që në njëfarë mënyre është gjyshi i te gjithë shqiptarëve”, tha Rama.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50103 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE