Nisin seleksionimet me futbollistët e rinj shqiptarë në diasporë!

vovalbania December 04, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nisin seleksionimet me futbollistët e rinj shqiptarë në diasporë!

Në mjediset e “Shtëpisë së Futbollit”, sot nisin seleksionimet me futbollistët e rinj shqiptarë, që jetojnë në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë.

Në datat 4 deri më 7 dhjetor 2023, do të provohen të gjithë lojtarët djem të vitlindjes 2006 – 2009.

I gjithë procesi do të drejtohet e monitorohet nga trajnerët e katër ekipeve Kombëtare të moshave, si dhe nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, së bashku me Përgjegjësin e Sektorit të Skautizmit dhe Përgjegjësin e Portierëve.

Sa i përket aplikimeve, interesi ka qenë maksimal që në momentin që Federata Shqiptare e Futbollit bëri njoftimin dhe në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” do të testohen rreth 350 lojtarë. Futbollistët e vitlindjeve 2006-2007 që do të marrin pjesë në seleksionim do të testohen në datat 4 e 6 dhjetor, ndërsa lojtarët e vitlindjeve 2008-2009 do të testohen në datat 5 e 7 dhjetor.

Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF dëshiron t’ju kujtojë që në ditën kur lojtarët do të paraqiten në seleksionim, duhet të kenë me vete certifikatë mjekësore dhe lejen e lëshuar nga klubi ku luajnë. Këto materiale, prindërit duhet t’i paraqesin brenda orës 09:00 tek recepsioni i Federatës, kurse grumbullimi pranë fushave në “Shtëpinë e Futbollit” bëhet në orën 09:30.

Seleksionimet kanë një rëndësi të madhe, pasi shërbejnë për zbulimin e talenteve kuqezi, që mund të jenë pjesë e ekipeve kombëtare të moshave në të ardhmen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE