Luftime të ashpra në Gaza, e bëjnë të pamundur furnizimin me ndihma!

vovalbania December 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Luftime të ashpra në Gaza, e bëjnë të pamundur furnizimin me ndihma!

Forcat izraelite vazhduan luftimet e ashpra me luftëtarët e Hamasit, grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Rripin e Gazës, pasi kanë zgjeruar ofensivën tokësore në qytetin e dytë më të madh të kësaj enklave, duke e tkurrur vendin ku palestinezët mund të kërkojnë strehim dhe duke e bërë të pamundur fuqizimin me ndihma jetike në pjesën më të madhe të territorit.

Ofensiva në jug kërcënon të shkaktojë zhvendosje të madhe të njerëzve brenda enklavës së rrethuar bregdetare, ku Kombet e Bashkuara thonë se 1.87 milion njerëz, rreth 80% e popullsisë kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Shumica e veriut, përfshirë pjesë të mëdha të Qytetit të Gazës është shkatërruar plotësisht e palestinezët kanë frikë se edhe pjesa tjetër e Gazës mund të përjetojë fat të njëjtë.

Izraeli thotë se i duhet patjetër ta rrëzojë Hamasin nga pushteti për të parandaluar përsëritjen e sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku Hamasi dhe militantët e tjerë vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe morën 240 pengje.

Më shumë se 100 pengje janë liruar tashmë gjatë armëpushimit njëjavor, ndërsa Izraeli liroi 240 të burgosur palestinezë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh se Izraeli do të mbajë kontroll të pakufizuar të sigurisë në Rripin e Gazës, megjithëse kjo është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Në tri ditët e fundit, furnizimi me ndihma, kryesisht me miell e ujë ka qenë i mundur vetëm brenda dhe përreth qytetit kufitar, Rafah në skajin jugor të Gazës, për shkak të luftimeve dhe mbylljes së rrugëve nga forcat izraelite, sipas OKB-së.

Gaza ka mbetur pa energji elektrike prej fillimit të tetorit, ndërsa Izraeli ka kufizuar në maksimum importin e karburantit, duke i detyruar disa spitale të mbyllen, pasi ato kanë mbetur edhe pa gjeneratorët emergjentë.

Lufta ka vrarë më shumë se 16 mijë e 200 njerëz në Gaza, 70% gra e fëmijë dhe ka plagosur mbi 42 mijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së këtij territori, që sot publikoi të dhënat e reja. Ushtria e Izraelit akuzon Hamasin se po i përdor civilët si mburoja njerëzore gjatë operacioneve të luftëtarëve të tij në zonat e banimit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49617 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE