Tradita e shtegtimit të bagëtive në Shqipëri, mbrohet nga UNESCO!

vovalbania December 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tradita e shtegtimit të bagëtive në Shqipëri, mbrohet nga UNESCO!

Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e ka futur traditën e shtegtimit të bagëtive të Shqipërisë në listën e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s. Këtë e njoftoi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Për ta futur këtë traditë nën mbrojtjen e Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të OKB-së, Shqipëria kishte aplikuar në një dosje të përbashkët me Italinë, Austrinë, Greqinë, Spanjën, Francën, Rumaninë, Kroacinë, Luksemburgun e Andorrën, në mars të vitit të kaluar. Në Facebook, Margariti shkruan:

Tradita e shtegtimit të bagëtive është një traditë e lashtë që ka kapërcyer shekujt dhe shtete; një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje, rite, festa dhe kulinari.

Në Shqipëri kjo traditë, e njohur në botë si Transhumanca, zhvillohet në zonat e thella malore në veri dhe në jug të vendit. Me nisjen e stinës së verës, në qershor, barinjtë me kopetë e bagëtive bëhen gati të udhëtojnë drejt bjeshkëve. Ata e njoftojnë njëri-tjetrin e nisin së bashku rrugëtimin për në zonat e larta malore, ku qëndrojnë për tre muaj.

Ata marrin me vete enë dhe pajisje për të mbledhur dhe përpunuar qumështin, qentë që ruajnë bagëtitë, por edhe fyell apo çifteli e vegla të tjera muzikore, për të kaluar ditët dhe netët larg shtëpisë e familjes.

Pas tre muajsh shtegtimi, barinjtë dhe kopetë e bagëtive kthehen në shtëpi, së bashku me ushqimet e grumbulluara gjatë kësaj kohe. Zakonisht, për kthimin e tyre organizoheshin edhe festime. Kjo traditë rrezikon të zhduket për shkak të lëvizjes së banorëve të fshatrave drejt zonave urbane, por edhe për shkak të emigrimit jashtë vendit.

Ministrja tha se ky vendim “do të jetë një ogur i mirë edhe për dosjet e tjera që Shqipëria ka dorëzuar pranë UNESCO-s”. Shqipëria ka dorëzuar kërkesat me dosjet përkatëse për “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës” dhe “Këndimin me lahutë të këngëve të kreshnikëve”, të cilat ende nuk janë shqyrtuar nga UNESCO.

Aktualisht pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s janë Gjirokastra, Butrinti, Berati, liqeni i Ohrit, lumi i Gashit në luginën e Valbonës, si dhe xhubleta. Pak kohë më parë, Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48866 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE