Amerika i vë veto rezolutës për armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza!

vovalbania December 09, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Amerika i vë veto rezolutës për armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza!

Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara, të mbështetur nga shumica dërrmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe shumë vende të tjera, që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Në këshillin me 15 anëtarë, votimi u mbyll me 13 vota pro dhe 1 kundër, ndërsa Mbretëria e Bashkuar abstenoi.

Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood kritikoi këshillin, për atë që e cilësoi “dështim të tij, për të dënuar sulmet e Hamasit në Izrael e për të njohur të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur”.

Ndalimi i veprimeve ushtarake do t’i mundësonte Hamasin që të vazhdojë të sundojë e të mbjellë farën për luftën e ardhshme.

Shefi i Kombeve të Bashkuara dhe shumë anëtarë të Këshillit të Sigurimit, bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza, por Shtetet e Bashkuara përsëritën kundërshtimin e tyre pavarësisht një apeli të drejtpërdrejtë të diplomatëve arabë.

Ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite e të tjera vendeve kryesore arabe, si dhe Turqisë janë në Uashington, në një mision të rrallë të përbashkët për t’i bërë presion administratës Biden që të heqë dorë nga kundërshtimi i saj ndaj një armëpushimi.

Gjatë fushatës ushtarake më shumë se dy-mujore të Izraelit janë vrarë më shumë se 17,400 njerëz në Gaza, 70% prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe janë plagosur mbi 46,000 vetë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të territorit palestinez, që thotë se shumë të tjerë janë bllokuar nën rrënoja. Dikasteri i drejtuar nga Hamasi, nuk bën dallim mes numrit të civilëve të vdekur e militantëve të Hamasit.

Në këshill, rezoluta u paraqit nga Emiratet e Bashkuara Arabe që kërkuan një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Deklarata e mëhershme e zv.ambasadorit amerikan në këtë këshill, Robert Wood, sinjalizoi qëndrimin kundër të Shteteve të Bashkuara.

Wood kritikoi këshillin për mosdënimin e sulmit të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit militantët vranë rreth 1200 persona, kryesisht civilë, si dhe morën më shumë se 240 persona peng.

Një armëpushim do ta linte Hamasin në krye të Gazës e mbi 100 persona që ende mbahen peng, në duart e grupit militant. Asnjë qeveri nuk do të lejonte një kërcënim të tillë, pas sulmit më të rëndë ndaj një populli ndër dekada. Ndalimi i veprimeve ushtarake vetëm sa do të mbillte farën për luftën e ardhshme, sepse Hamasi nuk ka dëshirë të shohë një paqe të qëndrueshme apo një zgjidhje me dy shtete.

Për këtë arsye, ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një paqe të qëndrueshme, në të cilën izraelitët e palestinezët mund të jetojnë në paqe dhe siguri, ne nuk mbështesim thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50038 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE