Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet, Komisioni Europian jep shkaqet!

vovalbania December 11, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet, Komisioni Europian jep shkaqet!

Komisioni Europian paralajmëron se vitin e ardhshëm, ekonomia shqiptare do të përballet me disa rreziqe në rritje, që vijnë nga faktorë të brendshëm, si rreziqet e shtuara klimatike apo mungesa e fuqisë punëtore. Në raportin e fundit, Komisioni shprehet se ekonomia pritet të ngadalësohet më 2023-shin dhe 2024-ën.

Pas zgjerimit të fortë në vitin 2022, që arriti në 4.8%, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të zbutet në 3.5% më 2023-shin dhe 3.1% më 2024-ën, pasi konsumi privat parashikohet të ngadalësohet për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve dhe ecurisë më të dobët të punësimit.

Në raportin për Zgjerimin, Brukseli zyrtar thekson përpjekjet e mëdha dhe investimet që duhen për t’u përshtatur me zhvillimet klimatike.

Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e nivelit të detit, si dhe përmbytjet/thatësirat pritet të ndikojnë ndjeshëm në shoqëri, infrastrukturën publike dhe aktivitetet ekonomike. Prandaj, duhet të miratohen planet e menaxhimit të rrezikut klimatik në të gjitha nivelet dhe infrastrukturat kryesore jetike duhet të jenë të mbrojtura nga klima, për të rritur qëndrueshmërinë e vendit ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

KE-ja thotë se “edhe Banka e Shqipërisë duhet të analizojë ekspozimin e sistemit financiar e rreziqet e kredisë të lidhura me ndryshimet klimatike”.  Një tjetër rrezik lidhet me varësinë e lartë që ka vendi nga hidrocentralet për gjenerimin e energjisë, çka e bën të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike.

Vendi është një importues neto i energjisë elektrike me rreth 30% në vit, pasi energjia hidroelektrike nuk mjafton për të mbuluar nevojat e saj. Nevojitet progres në ndërlidhjen e energjisë me vendet fqinje dhe ngritjen e një tregu të integruar rajonal të energjisë, për të forcuar sigurinë e furnizimit dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin dhe tregtimin e energjisë së gjelbër. Diversifikimi në burimet e mëdha diellore dhe të erës do të përmirësonte ndjeshëm sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe do të reduktonte cënueshmërinë e saj ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Për vendin tonë, problematika në gjetjen e fuqisë punëtore, si rrjedhojë e emigracionit të lartë dhe rënies graduale të popullsisë është një tjetër rrezik për ekonominë.

Pavarësisht përmirësimit të situatës së tregut të punës, emigracioni u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2021, duke çuar në një ulje të popullsisë me 1.1% në vitin 2022. Kjo gjithashtu kontribuon në plakjen e popullsisë dhe godet financimin e sistemit të pensioneve, në të cilin Shqipëria tashmë ka një raport të ulët të kontribuuesve ndaj përfituesve.

Raporti i Komisionit Europian vë theksin te rritja e shqetësimeve të biznesit, si rrjedhojë e mungesës së fuqisë punëtore.

Ekziston një perceptim në rritje se vështirësitë në rekrutimin e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhen pengesë për biznesin dhe sipërmarrësit po kërkojnë gjithnjë e më shumë masa nga qeveria për të ndihmuar në mbajtjen e punëtorëve e për të ofruar stimuj për kthimin e diasporës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49431 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE