Hagë, Apeli ul në 22 vjet burg dënimin ndaj Salih Mustafës!

vovalbania December 14, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hagë, Apeli ul në 22 vjet burg dënimin ndaj Salih Mustafës!

Apeli në Gjykatën Speciale e uli në 22 vjet burgim, dënimin me 26 vite heqje lirie për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, duke përfshirë kohën e kaluar në paraburgim. Mustafa ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë, prej shtatorit të vitit 2020. Vendimi për ulje të dënimit është bërë i ditur nga kryetarja e trupit të Apelit, Michele Picard, sot në sallën e gjyqit në Hagë ku ishte edhe Mustafa.

(Paneli i Apelit) Anulon dënimin me 10 vjet burg në lidhje me pikën 1 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 8 vjet burgim; anulon dënimin me 22 vjet burgim në lidhje me pikën 3 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 20 vjet burgim; anulon dënimin me 25 vjet burgim në lidhje me pikën 4 të aktakuzës dhe cakton një dënim me 22 vjet burgim. Anulon dënimin e njësuar me 26 vjet burgim për zotin Mustafa dhe cakton një dënim të njësuar me 22 vjet burgim për zotin Mustafa, duke kaluar kohën e kaluar në paraburgim. Verdikti për fajësinë e tij për pikat 1, 3 dhe mbetet në fuqi porse vetëm është ulur dënimi.

Salih Mustafa u dënua në dhjetor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale, me 26 vjet burgim si dënim të njësuar për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar e po ashtu torturë. Ai u dënua me 10 vjet heqje lirie për ndalim arbitrar, 22 vjet burg për torturë dhe 25 vjet burg për vrasje të paligjshme.

Salih Mustafa nuk u shpall fajtor për trajtim mizor. Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha krimet për të cilat u vu nën akuzë.

Gjyqtarja Picard u shpreh edhe se aktgjykimi duhet të zbatohet me efekt të menjëhershëm, si edhe ka urdhëruar që Mustafa të mbetet në paraburgim deri në finalizimin e masave, për t’u dërguar në shtetin ku do të vuajë dënimin.

Më vonë gjatë këtij viti, Salih Mustafa e pati apeluar vendimin prej 26 vjetësh burgim duke kërkuar shpalljen e një vendimi pafajësie apo ulje të dënimit.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar që vendimi dënues të mbetej në fuqi meqë sipas përfaqësuesve të saj, për këtë kishte prova të besueshme.

Dënimi ndaj Mustafës shënoi dhe vendimin e parë të Speciales lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE