“Këtu nuk ka shtet, shteti është privat”/ Opozita vazhdon protestën drejt Kryesisë së Kuvendit!

vovalbania December 18, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Këtu nuk ka shtet, shteti është privat”/ Opozita vazhdon protestën drejt Kryesisë së Kuvendit!

Opozita ka marshuar mesditën e sotme nga selia e Partisë Demokratike për në Kryesinë e Kuvendit.

Një grup modestë demokratësh, sikurse e ka cilësuar ish-kryeministri Berisha, iu përgjigjën thirrjes së tij për të protestuar kundër qeverisë Rama, të cilën e konsideron monodiktaturë ose regjim të krimit dhe drogës që vjedh qytetarët.

Në një kohë kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur për shqyrtimin e kërkesës së SPAK sa i përket dhënies së autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha; ish-kryeministri ka zgjedhur të mos shkojë për t’u mbrojtur në Komision, duke argumentuar se kjo do të nënkuptonte pranimin e poshtërimit publikisht të institucionit më të rëndësishëm të shtetit.

Me flamuj të PD-së në krah, militantë dhe deputetë mbështetës të Rithemelimit kanë shoqëruar ish-kryeministrin Berisha në marshimin simbolik. Me thirrjet “Rama Ik”, “Edi Rama, hajduti i zgjedhjeve” apo pankarta “Shqipërisë t’i dalim Zot”, protestuesit kanë mbërritur në ambientet e kryesisë së Kuvendit, të blinduar nga efektivë dhe mjete Policie.

Gazetarja e Top Channel, Doriana Bezat raporton se pavarësisht se nuk ka informacione për incidente, Policia ka ndërmarrë masa sipas një protokolli të caktuar për raste të tilla. Bulevardi Dëshmorët e Kombit është i lirë dhe ka bllokime vetëm përballë kryesisë së Kuvendit ku PD-ja e Rithemeluar ka vendosur një podium për të folur protestuesit.

Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo e cila po ndjek nga afër zhvillimet e protestës, ka mundur të shkëpusë disa prononcime të qytetarëve që ndodhen sot në Tiranë në mbështetje të Berishës.

Pse ndodhesh sot në protestë?

“Për padrejtësitë që i bëhen popullit shqiptar. Këtu nuk ka shtet. Shteti është privat. Çdo zyrë është private”- tha një qytetar.

Nga keni ardhur? “Unë kam ardhur nga Hasi dhe do të qëndroj këtu në rrugë sa të jetë nevoja. Nuk ka rrugë tjetër o vdekje o liri”- përfundoi qytetari.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50747 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE