Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të rritet ndjeshëm në Tremujorin I të 2024-ës!

vovalbania December 20, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të rritet ndjeshëm në Tremujorin I të 2024-ës!

Huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE), huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, MFE ka rritur ndjeshëm shumën e emetimeve që do të kryhen gjatë muajve janar dhe shkurt, ndërsa e ka ulur vlerën e planifikuar për në muajin mars. Përqendrimi i niveleve të larta të huamarrjes në muajt e parë të vitit ndoshta tenton t’i paraprijë një cikli të ri të rritjes së normave të interesit.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në veçanti, presionet e brendshme inflacioniste janë të larta dhe orientimet e dhëna në mbledhjet e fundit sugjerojnë se ulja e inflacionit drejt objektivit do të kërkojë një rritje të mëtejshme të normave të interesit.

Norma bazë e interesit në Shqipëri ngelet në nivelet më të ulëta në Europë dhe është e pritshme që ajo gradualisht të rritet të paktën pranë kufirit të 4%.

Ndërkohë, muajt e parë të vitit në përgjithësi karakterizohen nga një kërkesë më e lartë e bankave tregtare për të investuar në bono e obligacione. Një tablo e tillë u vërejt edhe në të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur MFE-ja shfrytëzoi kërkesën e lartë të tregut dhe yield-et në rënie për të emetuar në disa ankande një vlerë borxhi më të lartë se parashikimi fillestar.

Megjithatë, rritja e ndjeshme e huamarrjes së planifikuar në tregun e brendshëm mund të krijojë premisa për të rritje të yield-eve, edhe duke pasur parasysh stanjacionin e kursimeve në Lekë gjatë vitit 2023.

Në pjesën më të madhe, huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm financiar konsiston në rinovim ose rifinancim të instrumenteve të maturuara. Rifinancimi i borxhit ekzistues tentohet të bëhet kryesisht nëpërmjet bonove të thesarit, ndërsa mbulimi i deficitit të ri të krijuar synohet të realizohet nëpërmjet obligacioneve.

Tremujori i ardhshëm pritet të ofrojë mundësi të reja investimi për investitorët e interesuar në instrumente afatgjata.

Siç është traditë prej vitesh, në muajin janar do të zhvillohet një ankand i ri i obligacioneve 10-vjeçare, me vlerë 4 miliardë lekësh. Janarin e kaluar, vlera e emetimit të obligacioneve 10-vjeçare kishte qenë më e ulët, në 2.5 miliardë lekë.

Në muajin shkurt është parashikuar gjithashtu një emetim i ri i obligacioneve 15 vjeçare, për një shumë fillestare të planifikuar prej dy miliardë lekësh.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2024, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuara për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, nga 25 miliardë të planifikuara për vitin 2023, mbështetur në Aktin e fundit Normativ.

Në pjesën më të madhe, ndryshimi i ndjeshëm në vlerën e huamarrjes së brendshme është i lidhur me Eurobondet. Dje, Shqipëria realizoi emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj, për një shumë totale prej 600 milion eurosh.

Për vitin 2024, Qeveria nuk ka planifikuar emetime të reja të Eurobondit dhe pjesa më e madhe e deficitit të planifikuar buxhetor do të financohet nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit në tregun e brendshëm financiar.

Në terma realë, deficiti pritet të bjerë në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në nivele të përafërta me vitin 2023./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51167 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE