Lufta ruse në Ukrainë, viktima e të plagosur në Kherson!

vovalbania December 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Lufta ruse në Ukrainë, viktima e të plagosur në Kherson!

Gjatë natës, Rusia sulmoi me 15 dronë Ukrainën, kryesisht në pjesën jugore të shtetit, por mbrojtja ajrore ukrainase ka shkatërruar 14 prej tyre. Lajmin e konfirmon sot ushtria ukrainase. Përmes një postimi në Telegram, Forca Ajrore njofton:

Si rezultat i luftës ajrore, Forcat Ajrore të Ukrainës dhe forcat mbrojtëse kanë shkatërruar 14 dronë Shahed në rajonet e Mikolajivit, Hirovoradit, Zaporizhjës, Dnipros e Hmelnitskit.  Dronët u lëshuan nga brigjet lindore të Detit Azov në Rusi.

Ky njoftim nuk u arrit të konfirmohet në mënyrë të pavarur dhe Moska ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Kievit zyrtar. Ndërkaq, autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për viktima e të lënduar apo dëme materiale.

Por, ka informacione për 4 të vrarë e 9 të plagosur nga bombardimet ruse në qytetin Kherson.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Vazhdimisht, trupat ruse sulmojnë me dronë Shahed, objektivat në Ukrainë. Këta lloj dronësh që ndryshe njihen edhe si “dronë kamikazë”, janë të prodhimit iranian.

Ushtria ukrainase njoftoi se shmangu sulmet e reja ruse në Avdiivka, në rajonin e Donetskut. Forcat ruse vazhdojnë të përpiqen të rrethojnë Avdiivkën, qytet industrial, popullsia e të cilit kryesisht është larguar ndërsa luftimet zgjasin prej muajsh.

Lufta në Ukrainë hyri në ditën e 669-të. Siç bën të ditur New York Times, presidenti rus Vladimir Putin është “i hapur për një armëpushim”. Referuar të dhënave të ushtrisë ukrainase, numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftë u rrit në 351 mijë e 350, nga të cilët 1 mijë e 80 në 24 orët e fundit.

Në një tjetër zhvillim, Wall Street Journal shkruan se “pas vdekjes së kreut të grupit mercenar pro-rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, qëndron një njeri shumë i afërt me Putinin, ish-spiuni Nikolai Patrushev”. Prigozhin, dikur aleat i ngushtë i Putinit, humbi jetën në një aksident ajror në gusht, dy muaj pas një rebelimi të shkurtër kundër Kremlinit. Ai kundërshtonte hapur strategjinë ushtarake ruse në Ukrainë, vend ku trupat e tij u përfshinë intensivisht në luftime krahas atyre të Rusisë.

Në fund të shkurtit 2024 mbushen dy vjet nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Moska e quan “operacion special ushtarak” e po përballet me sanksione të Perëndimit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE