Tirana “shuplakë” Egnatias, rrogozhinasit dorëzohen përpara bardhebluve!

vovalbania December 24, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tirana “shuplakë” Egnatias, rrogozhinasit dorëzohen përpara bardhebluve!

Tirana shpartalloi Egnatian në ndeshjen e fundit për këtë vit, duke fituar 0-5 në Rrogozhinë.

Bardheblutë e mbyllin me fitore vitin kalendarik, duke u rikthyer tek fitorja pas katër ndeshjesh. Goditje e rëndë për kryesuesit e kampionatit, të cilët pasi humbën Superkupën në mesjavë zhgënjejnë para tifozëve të tyre, duke pësuar humbjen më të thellë në këtë sezon.

Rimal Haxhiu arriti që të realizojë golin e parë të sfidës në të 25-ën, ndërkohë që në pjesën e dytë, Albano Aleksi i ndërlikoi llogaritë për Egnatian. Mesfushori bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Latifit në të 67-ën, duke e detyruar gjyqtarin që ta ndëshkojë me karton të kuq.

Gjërat u thjeshtuan në anën tjetër për bardheblutë që pak momente pas këtij episodi shënuan golin e dytë me anë të Latifit. Tirana shfrytëzoi momentin e mirë që po kalonte, teksa realizoi përsëri në të 74-ën, me Rimal Haxhiun që shënoi të dytin personal e të tretin për kryeqytetasit.

Në 10 minutat e fundit, Tirana e gjeti dhe dy herë të tjera golin, fillimisht me Abazajn që shënoi të katërtin e më pas Latifi kristalizoi rezulatin  përfundimtar.

Një fitore qetësie për bardheblutë që fazën e dytë e mbyllin në kuotën e 26 pikëve, duke u renditur të tretët, në të njëjtën kuotë me Vllazninë. Në anën tjetër Egnatia mbetet e para, me 37 pikë, ndonëse kjo humbje lë një shije shumë te keqe./Supersport

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49439 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE