Hapen korridoret ajrore Kosovë – Shqipëri!

vovalbania December 28, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Hapen korridoret ajrore Kosovë – Shqipëri!

Kosova hap korridoret ajrore me Shqipërinë. Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu. Në një postim në Facebook, në orët e para të mëngjesit, Aliu theksoi se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen me gati 15 minuta.

Nga 1 janari, bashkëatdhetarët, përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë.

Në këtë mënyrë, Aliu iu referua edhe liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, vendim që hyn në fuqi të hënën e ardhshme, pra më  1 janar të vitit 2024.

Në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e Kosovës kanë qenë të vetmit që nuk kanë mundur të lëvizin pa viza në zonën Schengen.

Muaj më parë u tha se pas hapjes së korridorit ajror të Kosovës me Shqipërinë, përveç shkurtimit të kohës së fluturimit do të ulet edhe çmimi i biletave. Aktualisht, çmimi mesatar i një bilete nga Kosova për në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, BE është 140 euro. Sipas operatorëve turistikë, me shkurtimin e kohës së fluturimit, ky çmim mund të pësojë rënie me 6% apo ndryshe 8 euro.

Që nga koha e pasluftës, në vitin 1999, fluturimet nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja për të shfrytëzuar korridorin ajror të Shqipërisë, u arrit në vitin 2020. Ky akord përfshin hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad e Arbër.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që duhej të miratoheshin nga Shqipëria, si dhe nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në dallim nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, ajo e lartë, mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun ajror tregtar nga viti 2014 është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për ta menaxhuar.

Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si edhe me ligjet në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49066 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE