Sulmet masive të forcave ruse në Ukrainë dënohen nga Këshilli i Sigurimit!

vovalbania December 30, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sulmet masive të forcave ruse në Ukrainë dënohen nga Këshilli i Sigurimit!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh për të diskutuar “sulmin ajror më masiv” të Rusisë në të gjithë Ukrainën që nga fillimi i luftës, në shkurt të vitit 2022. Gjatë sulmit u përdorën 122 raketa dhe dhjetëra dronë, sipas zyrtarëve ukrainas. Ukraina dhe dhjetëra vende anëtare të OKB-së kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit pas sulmeve, “që rezultuan në viktima të shumta civile dhe shkatërrim të rëndë të infrastrukturës civile”.

Sulmet me raketa dhe dronë të Rusisë vranë të paktën 31 civilë e plagosën më shumë se 160 persona. Autoritetet besojnë se të tjerë janë nën rrënoja e thonë se numri i viktimave ka gjasa të rritet. Në rrjetin social X, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy postoi:

Sot, Rusia përdori pothuajse çdo lloj arme në arsenalin e saj: ‘Kindzhals’, S-300, raketa vetëdrejtimi dhe dronë … pjesa më e madhe e tyre u rrëzuan. Një maternitet ishte ndër objektivat e goditur nga sulmet e Rusisë.

Shpërthime u raportuan në Kiev, qytetin verilindor Kharkiv, qytetin perëndimor Lviv, qytetet lindore Dnipro e Zaporizhzhia, si dhe në qytetin port juglindor Odesa.

Shkalla e sulmit ka tejkaluar sulmet e mëparshme të mëdha: Rusia lëshoi 96 raketa në nëntor 2022 dhe 81 raketa më 9 mars, sipas komandantit të Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndër to Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe i dënuan sulmet, duke i quajtur “përpjekje e dëshpëruar dhe e kotë e Rusisë për të rifituar avantazhin”, në luftën me Ukrainën.

Ambasadorja britanike në OKB, Barbara Woodward:

Ata nuk do të kenë sukses!

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi sulmet ruse:

Sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile shkelin të drejtën ndërkombëtare humanitare, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë!

Në një deklaratë, presidenti amerikan, Joe Biden u shpreh:

Sulmi ishte një kujtesë e ashpër për botën se pas gati dy vitesh të kësaj lufte shkatërruese, objektivi i Putinit mbetet i pandryshuar, duke kërkuar të shkatërrojë Ukrainën dhe të nënshtrojë popullin e saj. Putin duhet ndalur!

Megjithëse Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar deri më tani Ukrainën, Kongresi duhet të shtojë përpjekjet e tij e të miratojë më shumë ndihma, pa ndonjë vonesë të mëtejshme ose ne nuk do të jemi në gjendje të vazhdojmë dërgimin e armëve dhe sistemeve jetike të mbrojtjes ajrore. Ukraina duhet të mbrojë popullin e saj.

Rëndësia e kësaj lufte shtrihet shumë përtej Ukrainës. Ajo ndikon në tërësinë e NATO-s, sigurinë e Europës dhe të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike. Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur një koalicion prej më shumë se 50 vendesh për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ne nuk mund të zhgënjejmë aleatët dhe partnerët tanë. Ne nuk mund të braktisim Ukrainën.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak tha se sulmi masiv i së premtes duhet të nxisë botën për veprime të mëtejshme, në mbështetje të Ukrainës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48748 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE