Kurti akuza Serbisë se rrezikon Kosovën e qytetarët serbë me metodat e Putinit!

vovalbania January 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti akuza Serbisë se rrezikon Kosovën e qytetarët serbë me metodat e Putinit!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se duke “vazhduar rrugëtimin drejt metodave” të presidentit rus, Vladimir Putin, Serbia nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën e rajonin e Ballkanit, por edhe vetë qytetarët e saj, pas arrestimit të dy kosovarëve nga autoritetet serbe.

Duke folur në të parën mbledhje të qeverisë për këtë vit, Kurti e akuzoi Serbinë për arrestimin që e cilësoi të padrejtë, të qëllimshëm e keqdashës.

Serbia nuk përbën rrezik vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan, ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe ndaj qytetarëve të saj të cilët janë të gatshëm të kërkojnë falje për gjenocidin serb në Kosovë. Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit, nga frikësimi deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë.

Kurti iu referua kryetarit të Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sandulloviç, i cili u paraburgos javën e kaluar në Nish. Kryeprokurorja Borica Mitiç deklaroi se paraburgimi iu caktua lidhur me “dyshimet se ai ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore e fetare”.

Shteti serb përveç që e rrahu, i ngriti aktakuzë për nxitje urrejtje pasi u përkul në varrin e 7-vjeçares Blerina Jashari, e cila u vra nga forcat serbe.

Në një video të postuar në rrjetet sociale më 2 janar, Sandulloviç shihet gjatë një vizite në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur një kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kohë kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Shefi i qeverisë së Prishtinës, Albin Kurti foli edhe për arrestimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi së fundmi.

Hasan dhe Xhavit Dakaj u arrestuan më 5 janar nga autoritetet serbe pasi kaluan kufirin me Kosovën në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

Një ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd i vendosi masën e paraburgimit prej një muaji Hasan Dakajt, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili po akuzohet për krime lufte. Xhaviti, vëllai i tij, u lirua.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48776 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE