Gjurmë të pengjeve izraelite në një tunel në Rripin e Gazës!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Gjurmë të pengjeve izraelite në një tunel në Rripin e Gazës!

Ushtria izraelite tha se ka gjetur prova se pengjet që rrëmbeu Hamasi më 7 tetor 2023 kanë qenë në një tunel të nëndheshëm në Rripin e Gazës, në qytetin Khan Younis, që tashmë është bërë epiqendra e ofensivës tokësore të Izraelit.

Ushtria ia tregoi tunelin gazetarëve, që u shoqëruan përmes rrugëve të lagjeve me shtëpi të rrënuara. Një kolibe e ndryshkur prej teneqeje mbulonte hyrjen e tunelit, në kopshtin e një banese.

Një shkallë e improvizuar të çonte drejt shtegut të nëndheshëm, rreth 2.5 metra nën tokë. Tuneli ishte i nxehtë dhe me lagështirë, me mure prej betoni nga ku vareshin tela elektrikë. Më në brendësi gjendej një banjo, ku ushtria tha se gjeti evidencë se aty janë mbajtur pengje, ndër të tjera edhe ADN-në e tyre.

Pengjet mbaheshin këtu në këtë sistem tunelesh.

Nuk u dhanë detaje se çfarë u gjet saktësisht në tunel. Asnjë informacion për kohën e mbajtjes së pengjeve aty dhe për emrat e tyre. Një zëdhënës ushtarak as nuk tregoi nëse pengjet janë gjallë apo kanë vdekur.

Pengjet janë mbajtur në kushte të vështira.

Disa nga pengjet e liruara gjatë armëpushimit në fund të nëntorit të kaluar treguan se janë mbajtur në tunelet që Hamasi ka hapur në mbarë Rripin e Gazës dhe për të cilat Izraeli ka thënë se janë përdorur prej kohësh për kontrabandën e armëve e kalimin e luftëtarëve, duke shmangur kështu bllokadën e vendosur ndaj këtij territori.

Tuneli u gjet në një pjesë të qytetit që duket se ka përjetuar luftime të rënda. Banesa në afërsi ishte e dëmtuar rëndë.

Në një tjetër godinë ishin hedhur në erë muret e disa apartamenteve. E gjithë zona rrethohet nga pirgje të mëdha dheu, të krijuara nga buldozerët izraelitë që kërkojnë për lëndë eksplozive të groposura. Një tank ishte parkuar përpara një shkolle të zbrazët, ku një flamur izraelit varej në muret e jashtme. Në ajër dëgjohej zhurma e një droni dhe në distancë dëgjohen luftimet me armë.

Ushtria izraelite thotë se Hamasi vepron nga brenda tuneleve dhe zyrtarët ushtarakë e kanë bërë objektiv kryesor shkatërrimin e sistemit të tuneleve. Gjeneral brigade Dan Goldfus, komandant i divizionit 98 të ushtrisë i përshkroi tunelet si të “një rreziku prej 720 gradësh”. Izraeli mendon gjithashtu se udhëheqësi i Hamasit, Yehya Sinwar, fshihet në një tunel në Khan Younis.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE