Takim me fasonët, Rama: Koha e pagave të ulëta ka përfunduar!

vovalbania January 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Takim me fasonët, Rama: Koha e pagave të ulëta ka përfunduar!

Pas 7 muajsh thirrje qeveria është ulur në tryezë me kompanitë fason që punojnë me material porositës. Qeveria dhe kompanitë fason u takuan në një pikë të përbashkët: vijimin e transformimit që sektori të shndërrohet në një industri me cikël të mbyllur duke e marrë produktin nga materiali dhe deri në prodhimin e plotë të tij, ndryshe nga sot ku vetëm një pjesë përpunohet në vendin tonë.

Por, qeveria ka refuzuar çdo thirrje për subvencionim të drejtpërdrejtë. Sipas postimit të kryeministrit Rama nga takimi me bizneset: “koha e pagave të ulëta ka përfunduar”.

Nga Shtëpia e Biznesit, e sapothemeluar, shefi i ekzekutivit njoftoi se qeveria do t’iu ofrojë kompanive të mëdha të sektorit mbështetje që synojnë përmirësime në teknologji e inovacion.

Në këtë qëllim është paralajmëruar një skemë ku ndërmarrjeve do t’i ofrohet kredi me garanci nga shteti për të bërë investimet e nevojshme. Ndërkohë, tjetër fokus do jetë zhvillimi i mëtejshëm i burimeve njerëzore. Qeveria synon të financojë ngritjen e një akademie profesionale në manifakturë, si dhe për trajnimin e punonjësve.

Ndërhyrja do të fokusohet edhe në dhënien e likuiditet ndaj kompanive si një maskë oksigjeni ndaj krizës që ka shkaktuar zhvlerësimi i euros. Për këtë do t’i mundësohet akses në një linjë overdrafti atyre që kanë kontrata porositëse, si dhe do vijohet me rimbursimin e shpejtë të TVSH-së.

Vetëm në dy javët e fundit, biznesi fason ka dërguar në shtëpi rreth 1 mijë punëtorë për shkak të krizës që filloi me zhvlerësimin e euros e vijoi me dobësimin e kërkesës. Po ashtu, rritja e pagave ka bërë që Shqipëria të mos konsiderohet më si vend me krah të lirë pune.  Përveç fasonit janë edhe një sërë grupesh, si shoqata e bimëve medicinale, por dhe biznese të tjera eksportuese që kanë kërkuar mbështetje për produktin “Made in Albania”./Top Channel

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE