AI u kërkon shteteve europiane të ndalin ekstradimin në Rusi të pakicave nga Kaukazi Verior!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
AI u kërkon shteteve europiane të ndalin ekstradimin në Rusi të pakicave nga Kaukazi Verior!

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), u ka bërë thirrje disa shteteve europiane që “menjëherë të ndalojnë” transferimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve nga Kaukazi Verior për në Rusi, pasi rrezikohen nga tortura e keqtrajtime të tjera.

Për shkak të identitetit fetar dhe etnik, komunitete të tëra cilësohen si ekstremisht të dhunshme e që paraqesin kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare, me pretendimin për të justifikuar kthimin e tyre në rajon ku të drejtat që kanë janë në rrezik të madh.

Një studim i fundit, i cituar nga AI konkludoi se në Kroaci, Francë, Gjermani, Poloni dhe Rumani, autoritetet “kanë ekstraduar ose kanë tentuar” të ekstradojnë apo dëbojnë azilkërkuesit nga Kaukazi Verior.

Grupe të ndryshme etnike jetojnë në Kaukazin Verior, përfshirë çeçenë, dagestanas e ingushë, shumica myslimanë. Nils Muiznieks, drejtor i Zyrës për Europën i AI-së tha se shtetet europiane “duhet të kuptojnë se shumica e individëve që vijnë nga këto vende do të përballen me arrestim apo rrëmbim, torturë dhe keqtrajtime të tjera apo me rekrutim të detyruar sapo të kthehen”.

Për shtetet europiane është skandaloze të kërcënojnë se do të dërgojnë në Rusi njerëzit nga Kaukazi Verior dhe që i kanë ikur persekutimit në vendin ku kanë ndodhur këto shkelje. Njerëzve që po kërkojnë mbrojtje në Europë duhet t’iu bëhet vlerësim i drejtë i nevojave të tyre, nën dritën e situatës së keqe me të drejtat e njeriut në Rusi dhe luftës që po vazhdon në Ukrainë.

Amnesty International paralajmëroi se personat që kthehen në Rusi mund të dërgohen që të luftojnë në Ukrainë dhe ata që refuzojnë apo tentojnë t’i ikin mobilizimit, rrezikojnë të përballen me shkelje serioze të të drejtave të tyre.

Ka raporte të besueshme që minoritetet etnike në Rusi, në mënyrë disproporcionale po mobilizohen në forcat e armatosura.

Amnesty International vlerësoi se situata me të drejtat e njeriut në Kaukazin Verior është “e tmerrshme” dhe ata që shprehim mendime kritike apo pjesëtarët e komunitetit LGBT janë në rrezik “që të shënjestrohen”.

Organizata për të drejtat e njeriut po ashtu paralajmëroi ndaj atyre që i përshkroi si “diskriminim dhe stigmatizim në Europë të njerëzve nga Kaukazi Verior”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49593 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE