BE-Serbisë: Lejoni vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginën e Preshevës!

vovalbania January 18, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
BE-Serbisë: Lejoni vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginën e Preshevës!

Bashkimi Europian i kërkon Beogradit të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tre komunat në jug të Serbisë, në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialog rreth vizitave reciproke. Edhe nga Kosova, Unioni kërkon të respektojë akordin në të njëjtën mënyrë.

Reagimi i BE-së vjen pasi në fillim të muajit, ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla iu refuzua leja për të vizituar komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Luginën e Preshevës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano:

Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare ndaj Serbia duhej ta lejonte.

BE-ja vazhdon të bëjë ftesa për të dyja palët që në tërësi dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes.

Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. Bashkimi Europian mbetet i gatshëm t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje.

Më 4 janar, Sveçla planifikonte të vizitonte Luginën e Preshevës. Por, vizita nuk u lejua që të zhvillohej nga autoritetet serbe. Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur si Serbia, ashtu edhe Kosova kanë refuzuar që të japin leje për vizita zyrtare në shtetet përkatëse.

Më 27 nëntor 2021, autoritetet në Serbi refuzuan kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginën e Preshevës. Më herët, Kosova kishte refuzuar vizitën në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Në të gjitha këto raste, BE-ka i ka kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke iu kërkuar të lejojnë të tilla vizita, në bazë të marrëveshjes së arritur.

Sipas dakordësisë mes Kosovës dhe Serbisë të arritur me ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet që t’i autorizojnë ato.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49408 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE