Arabia Saudite: Pa një rrugë drejt një shteti palestinez, s’ka normalizim të raporteve me Izraelin!

vovalbania January 22, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Arabia Saudite: Pa një rrugë drejt një shteti palestinez, s’ka normalizim të raporteve me Izraelin!

Kryediplomati i Arabisë Saudite tha se mbretëria nuk do të normalizojë raportet me Izraelin apo të ndihmojë në rindërtimin e Gazës nëse nuk do të ketë një rrugë të besueshme drejt një shteti palestinez – një kërkesë që është refuzuar nga Qeveria izraelite. Kështu deklaroi princi Faisal bin Farhan gjatë një interviste për transmetuesin amerikan, CNN.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar shtetësinë palestineze dhe ka paraqitur planet për Gazën pasi të mbarojë lufta me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Mosmarrëveshjet rreth të ardhmes së Gazës, e ka vendosur Izraelin kundër aleates kryesore, SHBA-së, por edhe kundër shumicës së komunitetit ndërkombëtar. Këto mosmarrëveshje paraqesin një pengesë të madhe për çfarëdo plani për qeverisjen apo rindërtimin pasi të përfundojë lufta të enklavës që është shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve.

Para sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën, SHBA-ja kishte tentuar të ndërmjetësonte një marrëveshje historike, sipas së cilës, Arabia Saudite do të normalizonte raportet me Izraelin, në këmbim të garancive të sigurisë nga SHBA-ja, ndihmës për krijimin e një programi civil bërthamor dhe përparimin drejt zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez.

Në shtator, Netanyahu tha se Izraeli ishte në “prag” të arritjes së një marrëveshjeje të tillë.

Gjatë intervistës për CNN-in, kryediplomati saudit u pyet se “a po thoni se nëse nuk ka një rrugë të besueshme dhe të pakthyeshme drejt një shteti palestinez, nuk do të ketë normalizim të raporteve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit?”, princi Faisal tha se “kjo është mënyra e vetme që ne do të kemi përftim, prandaj po”.

Princi Faisal tha po ashtu se shteti i tij nuk do të kontribuojë në rindërtimin e Gazës të shkatërruar nga ofensiva izraelite, nëse nuk do të ketë një rrugë drejt një zgjidhjeje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50112 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE