A do të pyeten Rama dhe Meta, kreu i SPAK-ut Dumani: Rëndësi kanë provat, jo emrat!

vovalbania January 25, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
A do të pyeten Rama dhe Meta, kreu i SPAK-ut Dumani: Rëndësi kanë provat, jo emrat!

Nga Shkodra, Altin Dumani garantoi se SPAK-u ka kapacitetet për t’u përballur me grupimet e strukturuara kriminale e vuri në dukje se “ka treguar se është në gjendje të përballet me grupet kriminale që kanë lidhje edhe me politikën. Thyerja e mitit të pandëshkueshmërisë është e lodhshme, por jo e pamundur!”.

Kemi dhënë shenja se jemi në gjendje të përballemi me grupet kriminale, përtej forcës që kanë e lidhjeve edhe me politikën.  Jemi përditë në këtë luftë. Për të folur për suksese duhet të presim vendimin e gjykatave, për subjektet e nivelit të lartë.  Po tentojmë që të thyejmë mitin e pandëshkueshmërisë.

Kemi  kapacitete për t’u përballur me grupimet e strukturuara kriminale, kemi edhe prova. Eshtë e lodhshme, por jo e pamundur. Ne po e bëjmë pavarësisht emrit apo pushtetit që kanë patur individët. Në SPAK kemi ndryshuar filozofinë e kërkimit të provës me metoda speciale.

Sa i përket luftës anti-korrupsion, kreu i SPAK-ut theksoi:

Kemi përdorur të ardhurat nga pasuritë e konfiskuara dhe kemi investuar në teknologji. Për të qenë të sukseshëm në luftën kundër korrupsionit duhen legjislacion i mirë e struktura të specializuara, si dhe që këto struktura të kenë pavarësi. Ne kemi pavarësi totale, të garantuar nga Kushtetuta. Nuk kemi marrëdhënie varësie me pushtetet e tjera. Por, gjithçka varet nga integriteti i secilit prokuror dhe gjykatës. Mund të jesh i pavarur, por zgjedh të flirtosh me pushtetin.

A do të merren në pyetje Edi Rama dhe Ilir Meta?

Altin Dumani tha:

Objektivat janë që pas 5 vitesh, SPAK-u të ketë dhënë prova që në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërisë, dmth që zyrtarët e nivelit të lartë do të merren në përgjegjësi penale, objektiv i arritshëm. Kemi vështirësi shumë, shpresoj në rritjen e numrit të prokurorëve dhe hetuesve. Kemi shumë vështirësi në hetim. Nuk bëjmë gjëra të paimagjinueshme, bëjmë detyrën tonë.

Për SPAK-un nuk ka rëndësi emri, por provat. Ne si strukturë jemi të vëmendshëm ndaj publikimeve në media. Presionet politike nuk na bëjnë përshtypje. E kemi zgjedhur ta bëjmë këtë punë. Mua nuk më shqetëson fare.

A do të merret në pyetje Rama për çështjen e ish-zyrtarit të FBI-së, McGonigal? Dumani dha këtë përgjigje:

Nuk mund të përgjigjem për çëshje konkrete, por cilido zyrtar mund të merret në pyetje. Shumë media në muajin shkurt e deri para 10 muajsh, nuk lanë kritikë pa bërë për këtë temë, por ne nuk bëjmë publike çdo gjë që hetojmë. Hetimet për këtë temë, ne i kishim bërë që në shkurt. Ne jemi diskret në punën tonë.

Altin Dumani ishte i ftuar në një takim me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në kuadër të një projekti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi luftën antikorrupsion.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48869 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE