Turqia arreston 25 persona lidhur me sulmin në një kishë në Stamboll!

vovalbania February 02, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Turqia arreston 25 persona lidhur me sulmin në një kishë në Stamboll!

Autoritetet turke njoftojnë se kanë arrestuar 25 të dyshuar lidhur me të shtënat gjatë një shërbese në një kishë në Stamboll fundjavën e kaluar, ku u vra një person. Sipas ministrit të Drejtësisë, Yilmaz Tunc, në mesin e tyre janë edhe dy agresorët e dyshuar, të kapur më herët nga policia e që besohet se kanë lidhje me grupin militant, Shteti Islamik. Njëri prej tyre është nga Taxhikistani dhe tjetri, shtetas nga Rusia, siç ka deklaruar më herët ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.

ISIS-i mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe tha se e kryen në përgjigje të thirrjes së udhëheqësve të këtij grupi militant për të shënjestruar hebrenjtë e të krishterët.

Tunc deklaroi se 25 të dyshuarit po akuzohen për anëtarësim në një organizatë të paligjshme dhe për vrasje të rëndë me paramendim. Ai shtoi se nëntë të dyshuar të tjerë janë liruar derisa të nisë gjykimi i tyre.

Sulmi ndodhi të dielën në mëngjes në Kishën Katolike Italiane, “Santa Maria” në Stamboll. Një shtetas turk i cili po merrte pjesë në shërbesë dhe që u shënjestrua nga një person i armatosur mbeti i vrarë. Autoritetet thanë se sulmi mund të ishte më vdekjeprurës, por në çastin e atentatit pati një bllokim arme zjarri dhe u shmang masakra e përmasave më të mëdha.

ISIS-i ka kryer një sërë sulmesh në mbarë Turqinë, përfshirë një në vitin 2017, në një klub nate në Stamboll ku u vranë 39 persona. Sipas ministrit Yerlikaya, që nga qershori i vitit 2023, autoritetet turke kanë arrestuar 2 mijë e 86 të dyshuar se kanë lidhje me Shtetin Islamik.

Ankaraja zyrtare shprehet e vendosur të mos tolerojë ata për të cilët deklaroi se “do të tentojnë që të pengojnë paqen në shtetin turk”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49838 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE