Kritikohet si propagandë intervista e Putinit me amerikanin Tucker Carlson!

vovalbania February 09, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kritikohet si propagandë intervista e Putinit me amerikanin Tucker Carlson!

Kritikohet ashpër intervista e presidentit rus, Vladimir Putin me amerikanin Tucker Carlson, ish-gazetar i Fox News-it. Carlson ka bërë emër duke përhapur teori konspiracioni dhe ka vënë në pikëpyetje mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, në luftën e ukrainasve kundër trupave pushtuese ruse. Kritikat lidhen me dhënien e një platforme propaganduese shefit të Kremlinit, në të parën intervistë të tij me një gazetar amerikan që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, para dy viteve.

Putin përsëri pretendoi se Ukraina ishte kërcënim për Rusinë, se sipas tij “Perëndimi po e tërhiqte këtë vend drejt NATO-s”, çka është mohuar plotësisht nga Aleanca ushtarake. Ndërkaq, shmangu tema si lufta e tij brutale ndaj shoqërisë civile dhe lirisë së shprehjes në Rusi.

Putini i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara t’i bëjnë presion Kievit që t’i ndalë luftimet e të arrijë marrëveshje me Rusinë, që ka pushtuar një të pestën e Ukrainës.

Carlson rrallëherë e sfidoi Putinin, i cili foli gjatë për historinë e Rusisë dhe Ukrainës duke mos i përmendur akuzat nga grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut se “Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë”.

Edhe ndaj vetë Putinit ka urdhër-arrest ndërkombëtar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për dëbimin e jashtëligjshëm të fëmijëve ukrainas dhe dërgimin e tyre në Rusi gjatë luftës. Ian Bremmer, ekspert politik nga Nju Jorku dhe president i Eurasiagroup:

Putin e dha mesazhin e tij, ashtu siç dëshironte!

Carlson përballet me kritika për intervistimin e Putinit teksa Rusia po mban të burgosur dy gazetarët amerikanë Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmashevën, nën akuza në lidhje me raportimet e tyre. Rasti i Kurmashevës nuk u përmend në intervistë.

Për Gershkovich-in, Putin tha se “zyrtarët rusë dhe amerikanë janë duke biseduar” dhe se “ka përparim në këtë rast”. Ai la të kuptohej se në këmbim të Gershkovich-it, Moska dëshiron që Gjermania të lirojë Vadim Krasikovin, i dënuar më 2019-ën për vrasjen e një disidenti çeçen në Berlin.

Ne kemi vullnet ta zgjidhim këtë, por ka kushte të caktuara që duhet të bisedohen. Unë besoj se mund të arrihet marrëveshje.

Analisti politik i ekstremit të djathtë, Tucker Carlson e pyeti Putinin nëse mund ta përfytyrojë Rusinë duke dërguar trupa brenda Polonisë.

Vetëm në një rast, nëse Polonia e sulmon Rusinë. Ne nuk kemi interes në Poloni, Letoni apo diku tjetër. Pse do ta bënim këtë? As që bëhet fjalë!

Duke folur mbi vendimin për të intervistuar Putinin, Carlson shkroi në X se “mediat amerikane përqendrohen te presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky” dhe se “zëri i Putinit nuk dëgjohet në Shtetet e Bashkuara sepse gazetarët perëndimorë nuk janë lodhur ta intervistojnë, që kur nisi pushtimi i Ukrainës”.

Por, shumë gazetarë perëndimorë e mohojnë pretendimin, duke thënë se vazhdimisht kanë kërkuar që ta intervistojnë Putinin, por janë refuzuar. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili tha se zyra e tij ka marrë shumë kërkesa për intervista me presidentin.

Por, shumica e mediave perëndimore që çojnë kërkesë janë televizione tradicionale ose gazeta të mëdha që nuk marrin mundimin as të duken të paanshme në raportimet e tyre. Natyrisht se nuk kemi dëshirë të komunikojmë me media të tilla.

Reputacioni i Carlsonit si gazetar i pavarur është vënë në dyshim dhe në vitin 2020, Fox News fitoi një rast për shpifje kundër tij. Gjykatësja e çështjes arriti në përfundimin se “Carlson nuk po theksonte fakte të vërteta për çështjet që diskutonte” dhe “po e ekzagjeronte”.

Carlson ishte njëri prej gazetarëve më të vlerësuar të Fox News-it, para se të largohej vitin e kaluar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49283 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE