SHBA, Trump zotohet të shfuqizojë kufizimet për armët nëse fiton presidencialet!

vovalbania February 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA, Trump zotohet të shfuqizojë kufizimet për armët nëse fiton presidencialet!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tashmë kandidat kryesor republikan në garën presidenciale të nëntorit të këtij viti bëri një premtim. Ai u zotua se nëse rizgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë do të shfuqizojë të gjitha kufizimet e armëve të miratuara nga presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, demokrati, Joe Biden.

Duke folur para mijëra mbështetësve gjatë një takimi të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA), Donald Trump u zotua se do të anulojë një rregull që kufizon shitjet e pjesëve të armëve, si dhe kufizime të tjera të vendosura nga administrata e presidentit Biden. Gjatë fjalimit të mbajtur në Harrisburg të Pensilvanisë u shpreh:

​Sulmi i Biden-it ndaj pronarëve dhe prodhuesve të armëve do të përfundojë që gjatë javës së parë të rikthimit tim në detyrë e ndoshta që ditën e parë.

Duke u kthyer pas në kohë, kujtojmë se Shoqata Kombëtare e Armëve e mbështeti fort Trump-in gjatë garës presidenciale të vitit 2016 kur garonte përballë rivales demokrate, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e Shtetit, e cila ka qenë edhe Zonja e Parë e Amerikës në kohën kur president ishte bashkëshorti i saj, Bill Clinton.

E njëjta shoqatë i qëndroi në krah edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në krye të Shtëpisë së Bardhë duke e përkrahur kur emëroi tre gjyqtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë dhe kur miratoi një sërë masash të kërkuara nga lobi në favor të mbajtjes së armëve.

Mes masave ishte edhe ajo që i përcaktoi dyqanet e armëve të zjarrit si biznese thelbësore gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, duke i lejuar këto biznese që të qëndronin hapur, ashtu si farmacitë apo supermarketet ushqimore.

Ndër të tjera, ish-presidenti Trump vuri në dukje edhe mënyrën si ai i rezistoi presionit për të vënë kufizime për armët gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë në vitet 2017-2021. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi:

Gjatë katër viteve të mandatit tim presidencial nuk ndodhi gjë edhe pse ndaj meje kishte një trysni të madhe në lidhje me armët. Ne nuk bëmë asgjë dhe nuk u dorëzuam.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50242 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE