Durrës, sot masa e sigurisë për tre të akuzuarit lidhur me vrasjen e babait!

vovalbania February 26, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Durrës, sot masa e sigurisë për tre të akuzuarit lidhur me vrasjen e babait!

Në Gjykatën e Durrësit, sot jepet masa e sigurisë ndaj tre të akuzuarve për vrasjen dhe varrosjen e babait të tyre në kasollen e bagëtive në Shënavlash. Krimi i rëndë u zbulua pak ditë më parë, ndërsa viktima Pëllumb Meta ishte denoncuar si i zhdukur, më 13 shkurt. Denoncimin e bëri pikërisht djali i madh, i cili i tha policisë se kishte humbur kontaktet me babanë. Nuk do të kalonin shumë ditë dhe ai do të përfundonte në pranga për krimin që ka tronditur opinionin publik.

Fillimisht, vrasjen e mori përsipër 19-vjeçarja, Hygerta Meta, studente e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, e cila u shpreh se nuk kishte rrugëzgjidhje e se nuk pendohej. Sipas saj, “babai ishte bërë i padurueshëm, vendoste për gjithçka pa i pyetur” dhe shtoi se “gjithçka kulmoi kur e detyroi të fejohej pa dëshirë”.

Por, ky variant u hodh poshtë nga familja e interesuar për këtë krushqi, duke bërë që të shtohet misteri lidhur me shkaqet që çuan në vrasjen e 49-vjeçarit. Teksa tre fëmijët e arrestuar dhe bashkëshortja e viktimës i qëndrojnë motivit të dhunës në familje e versionit të vendimit për të fejuar pa dëshirë vajzën, nga familja që kërkonte krushqinë, dëshmuan se Pëllumb Meta nuk donte ta fejonte Hygertën, pasi 19-vjeçarja kishte zgjedhur të ndiqte shkollën e lartë në Tiranë.

Sipas dosjes hetimore, ata kanë pohuar se pavarësisht dëshirës së tyre për të lidhur krushqi me familjen Meta, i ati vajzës Pëllumb Meta ua kishte bërë të qartë se krushqia nuk mund të realizohej pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk kishte plane për ta fejuar.

Më tej, hetimet zbuluan se ekzekutimin me 4 plumba pistolete të Pëllumb Metës e kreu 25-vjeçari Hysen Meta, njëri prej dy djemve të viktimës. Në dëshminë para hetuesve, i dyshuari si ekzekutor deklaroi se babai i tyre ishte autoritar dhe i dhunshëm.

Dyshimet janë se Pëllumb Meta u vra me armë zjarri më 10 shkurt nga djali i madh, Hysen Meta e në fshehjen e trupit të pajetë kanë bashkëpunuar djali i vogël, Amarildo 21 vjeç dhe vajza Hygerta, 19 vjeçe. Ndërkohë, nëna e tyre Blerina Meta po hetohet në gjendje të lirë për “Fshehje krimi”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50889 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE